“Zhurnal” mëson / VMRO DPMNE do të votojë PRO ndryshimit kushtetues, vetëm që të bie poshtë kërkesa e partive shqiptare për 20%-shin!
Shkup, 26 tetor – Pikëpyetje të mëdha janë shtruar se çfarë e ka shtyrë zonjën kryesore të Bashkimit Evropian të vizitojë Shkupin zyrtar! Maqedonia e Veriut gjendet në prag të marrjes së vendimeve të vështira dhe duket se BE-ja nuk dëshiron që situata t’i del nga kontrolli. Prandaj ashtu siç mëson ekskluzivisht “Zhurnal”, Von der Leyen do të vijë që ta bindë opozitën për votimin e ndryshimeve kushtetuese. Kjo do të jetë edhe oferta e fundit që do t’i bëhet Mickoskit, e nëse di ta pranojë atë, atëherë ai bashkë me shtetin do të shkojnë përpara, në të kundërtën Mickoski do të duhet të japë dorëheqje!, shkruan Zhurnal.mk
Kryetarja e Komisionit Evropian arrin sot në Shkup
Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nga Shkupi fillon turneun nëpër vendet e Ballkanit Perëndimor, qëllimi i të cilit, siç thonë nga Brukseli, është të konfirmojë përkushtimin e BE-së për integrimin evropian të rajonit.
Shërbimi për shtyp i qeverisë njoftoi se kreu i KE-së do të pritet nga kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministrat edhe atë para Qeverisë.
Pas qëndrimit në Shkup, von der Leyen më 27 tetor do të shkojë në Prishtinë dhe më pas në Tiranë. Më 28 tetor ajo do të jetë në Sarajevë dhe Beograd, ndërsa vizitën e saj në rajon do ta përfundojë në Podgoricë më 29 tetor.
Përveç perspektivës evropiane të rajonit, fokusi i turneut të saj është lufta në Ukrainë dhe kriza energjetike. Siç njoftoi edhe ajo vetë javën e kaluar nga Strasburgu, një pjesë e ndihmës në fushën e krizës energjetike do të jetë përfshirja e vendeve të Ballkanit Perëndimor për blerjen e përbashkët të energjisë me vendet e BE-së. Kjo platformë synon të forcojë bashkëpunimin mes vendeve dhe të reduktojë konkurrencën ndërmjet vendeve në tregun e energjisë.
“Misioni i pamundur”– Kërkohet të ndryshohet kushtetuta
Zyrtarisht në nga zëdhënësi i KE-së, Eric Mamer mediat janë brifuar se qëllimi i vizitës së kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen është të përcjellë se rajoni është i rëndësishme për Bashkimin Evropian.
Por BE-ja dhe faktori ndërkombëtar, siç gjithmonë kanë vepruar, përkrahjen nuk e kërkojnë vetëm me fjalë e premtime boshe, por me veprime konkrete dhe pikërisht për këtë arsye mesazhi është solidariteti i BE-së me rajonin, angazhimi përmes programeve që synojnë nxitjen e investimeve dhe vullnetin për të vazhduar bashkëpunimin me të gjithë rajonin.
Maqedonia e Veriut ka kërkuar ndihmë nga Bashkimi Evropian për blerjen e energjisë elektrike nga Bullgaria përmes kompensimit me çmimin e tregut por kjo kërkesë e Maqedonisë nuk është ende në tavolinë në Bruksel dhe Von der Leyen do ta vendosë atë nëse vendi dëshmon se është në rrugën drejt BE-së.
“Zhurnal” ka mësuar ekskluzivisht se kryetarja e KE-së në Shkup vjen me qëndrimin e fuqishëm se vendi duhet të vazhdojë rrugën drejt anëtarësimit të plotë në BE dhe në këtë pikë nuk ka kthim prapa.
E për të shkuar një hap përpara, Maqedonia e Veriut duhet ta ndryshojë Kushtetutën në bazë të marrëveshjes së propozimit francez, ku pakicat tjera si bullgarët, kroatët, malazezët, egjiptianët dhe çifutët e Maqedonisë së Veriut të futen si kategori kushtetuese.
Qeveria nuk i ka 2/3 e votave për të bërë këto ndryshime dhe prandaj deri më tani ka mbetur pengë e këtyre ndryshimeve. VMRO DPMNE opozitare këmbëngul se ky ndryshim nuk ka për të ndodhur. E pikërisht për të zgjidhur këtë nyje, Von der Leyen do të kërkojë që zgjidhja të vjen së shpejti, edhe atë pikërisht nga vetë kryetari i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski.
“Zhurnal” mëson se deputetët e VMRO DPMNE-së do të ndryshojnë qëndrimin dhe të gjithë do të votojnë pro këtyre ndryshimeve. Me këtë, Mickoski nuk do të lejojë t’i përçahet partia, brenda së cilës janë gjetur deputetë të cilët janë të gatshëm të votojnë dhe mos të ndërpresin rrugën e BE-së. Nëse voton vetëm një grusht i deputetëve, aq sa për të kaluar ndryshimet Kushtetuese, Mickoski duhet të japë dorëheqje dhe t’i thotë lamtumirë politikës, sepse nuk është i aftë ta shtrijë siç duhet autoritetin e tij. Ndryshimet duhet të ndodhin dhe ata gjithsesi se do të bëhen, këtë e ka të qartë Mickoski, por çështja është se a do të dalë faqebardhë Mickoski nga e gjithë kjo situatë.
Nëse voton partia e Mickoskit, atëherë do të bie poshtë edhe kërkesa e partive shqiptare Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa, të cilat kërkojnë që një nga kushtet është që të hiqet termi 20 për qind nga Kushtetuta dhe gjuha maqedonase dhe shqipe të përdoren si gjuhë zyrtare në vend. Nëse voton Mickoski, vota e partive opozitare shqiptare do të ketë më pak vlerë dhe prandaj ky ndryshim i kërkuar vështirë se mund të realizohet.
Nëse VMRO DPMNE dhe Mickoski edhe përkundër presionit nga BE-ja dalin me qëndrimin se nuk votojnë ndryshime kushtetuese, atëherë Qeveria do të detyrohet të pranojë kërkesën e ASH-së dhe Besës, me qëllim të fitojë votat e tyre, por do të kërkojë edhe vota individuale shtesë nga partitë që janë në koalicion parazgjedhor me VMRO DPMNE-në. Edhe pse duket “mision i pamundur” në Maqedoninë e Veriut gjithçka është e mundur!
Ky vend është i njohur për pazaret të tilla, të cilat janë bërë çdoherë, prandaj nuk është aspak e befasishme që kjo teori mund të përsëritet. Do të gjinden tetë deputetë që do të votojnë për të vazhduar rrugën e BE-së, por kjo do të thotë edhe lamtumirë e angazhimit politik të Mickoskit dhe kokëçarje të thella brenda VMRO DPMNE-së e cila pastaj mund të shkojë drejt përçarjeve të ardhshme dhe shkatërrimit politik.
E tani kur të kthehemi sërish në fillim të qëllimit të ardhjes së Kryetares së KE-së, duhet ta ketë të qartë gjithsecili – BE-ja nuk mund të të ndihmojë nëse vet nuk i ndihmon vetvetes!

