Zaev: Gjatë luftës në kontinentin evropian, është evidente se sa e çmueshme është Marrëveshja e Prespës
Athinë, 16 prill – Vetëm e pyes veten si ka qenë para vitit 2018, e si është tani dhe nëse ia ka vlejtur? Sigurisht që ia ka vlejtur, thekson ish-kryeministri Zoran Zaev menjëherë pas fjalimit të tij në Kongresin e SYRIZA-s dhe foli për reagimet pozitive në të cilat ka hasur jo vetëm nga simpatizuesit dhe anëtarët e partisë greke, por edhe në përgjithësi, gjatë qëndrimit të tij disaditor në Athinë.
Ai shprehet se Marrëveshja e Prespës u ka sjellë të mira edhe Maqedonisë së Veriut edhe Greqisë, e “veçanërisht është evidente gjatë luftës që po zhvillohet në kontinentin evropian, se sa është e vlefshme marrëveshja dhe në të njëjtën kohë dërgon porosinë se mund të zgjidhen edhe çështjet e vështira, nëse të dyja palët vërtet duan të arrijnë paqen, të arrijnë bashkëpunim, të arrijnë gjithsesi të ardhme më të mirë, për gjeneratat e ardhshme që vijnë pas nesh”.
Duke marrë parasysh faktin se tashmë ka përditshmëri të ndryshme larg postit të kryeministrit dhe përgjegjësive që i bartë, Zaevi ka komentuar nëse në këtë aspekt kohor do të ndryshonte diçka në bisedimet.
Thekson se e arritëm atë që deshëm, “ishte e jona të mbrojmë identitetin tonë maqedonas, gjuhën maqedonase dhe atë e kemi”.
Ai shfaq shpresën se pasardhësi i tij, kryeministri Dimitar Kovaçevski do të përmbushë edhe qëllimin e fundit nga dy qëllimet strategjike, “e ky është fillimi i bisedimeve me Bashkimin Evropian dhe gjithsesi avancimin e standardit ekonomik të mbarë popullit tonë”.
Dy ish-kryeministrat, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, përveç Marrëveshjes së Prespës, i lidh edhe miqësia, e cila është evidente gjatë paraqitjeve të tyre publike, e që u tregua edhe gjatë Kongresit.
Ish-kryeministri, me brohoritje dhe duartrokitje, u prit në Kongresin e tretë të SYRIZA-s, si ditën e parë gjatë fjalimit të liderit të partisë Aleksis Cipras, ashtu edhe mbrëmë gjatë fjalimit të tij para delegatëve dhe anëtarëve të SYRIZA-s, e në bisedë me korrespondenten e MIA-s nga Athina, i përcjellë përshtypjet.
Jeni i ftuar në Kongresin e tretë të SYRIZA-s, cilat janë përshtypjet Tuaja nga pjesëmarrja? Duke gjykuar nga reagimet e të pranishmëve, jeni pritur shkëlqyeshëm, duket se Ju çmojnë shumë.
– Jam shumë i nderuar nga reagimet e kryetarit të SYRIZA-s, mikut tim Aleksis Cipras, por edhe të gjithë këtyre 5.700 delegatëve, ndërsa më shumë se 7.000 të pranishëmve në këtë stadium këtu në Athinë.
Reagimet janë pozitive, njerëzit reagojnë ndoshta sepse e dinë se çfarë rëndësie kanë marrëveshjet. Se së pari nuk ka asnjë të keqe prej tyre, se ato sjellin të mira për të gjithë ata që bëjnë marrëveshje për çfarëdo gjëje. Pra, kjo e jona, Marrëveshja e Prespës, i solli të mira Maqedonisë së Veriut, i solli të mira edhe Greqisë, është veçanërisht evidente gjatë luftës, që po zhvillohet në kontinentin evropian, sa e vlefshme është marrëveshja, e në të njëjtën kohë dërgon porosinë se madje edhe çështjet e vështira mund të zgjidhen, nëse të dyja palët duan vërtet të arrijnë paqen, të arrijnë bashkëpunimin, sigurisht që të arrijmë gjithsesi ardhmëri më të mirë, për brezat e ardhshëm që do të vijnë pas nesh.
Mua më vjen mirë që këto dy-tri ditë këtu në Athinë, sjellja e përgjithshme e popullit grek është pozitive. Le të themi si dy majtistë, unë dhe Aleksisi ose dy parti politike me orientim të majtë, po edhe anëtarët dhe delegatët tanë të kongresit mbështesin një gjë, por unë jam i kënaqur dhe i lumtur që njerëzit në rrugë, derisa pinim kafe diku, në hotelin ku jemi të vendosur..
A ju njohin?
– Të gjithë më njohin dhe të gjithë janë të sjellshëm. Dhe thjesht pyes veten se si ishte para vitit 2018, dhe si është tani dhe a ia vlente? Sigurisht që ia vlente. Para së gjithash, njerëzit janë me prirje miqësorë, unë e di që Aleksisi ka respekt në Maqedoninë e Veriut, në mesin e të gjithë popullit tonë maqedonas, e ashtu siç edhe unë ja, ndjehem shumë mirë këtu në Athinë, madje edhe në Selanik dhe qytete të tjera të Greqisë kur shkojmë. Kështu që, nuk ka asgjë të keqe nga miqësia, le të jetë sa më e pranishme në Ballkan, por edhe në Evropë.
Shpreheni se ia ka vlejtur, duke shikuar në këtë aspekt kohor, thuajse katër vite pas Marrëveshjes së Prespës, tani që nuk jeni më kryeministër, sigurisht keni më shumë kohë të lirë për të menduar, a do të ndryshonit ndonjë gjë? Në bisedimet? Në vetë marrëveshjen?
– Në bisedimet arritëm atë që donim, me siguri edhe pala greke arriti, kështu që edhe u bë marrëveshja. E them disa herë, jam kujdesur për Aleksisin dhe pozitat e tij para popullit të tij, para Qeverisë, para Parlamentit, ashtu siç kujdesej edhe ai, për pozitat e mia para popullit maqedonas, para Parlamentit, para Qeverisë. Ishte e jona të mbronim identitetin tonë maqedonas, gjuhën maqedonase dhe këtë e kemi. Ata kërkuan emër me përcaktim gjeografik dhe erga omnes. Pse erga omnes? Që të mos ketë sërish zënka, sepse është e vështirë të përkufizosh se çfarë është për në vend dhe çfarë është për jashtë.
Në fund, ne kemi zgjidhje të qëndrueshme, që sot është bazë për të ardhmen që duhet të sjellë bashkëpunim edhe më të madh sesa që e kemi sot. Sepse kjo marrëveshje mund të jetë realisht baza apo themeli për nxitjen e bashkëpunimit në çdo nivel të mundshëm, gjë që gjithsesi është i pranishëm edhe tani. Ka një numër të madh avancimesh ekonomike, investimesh greke, bashkëpunime në fushën e sportit, arsimit, kulturës, etj. Por, mundësitë janë të mëdha, madje nuk mund t’i imagjinojmë saktësisht se cilat janë mundësitë para nesh.
Kështu që, po, gjithsesi jam i lumtur dhe ja sot duke shikuar nga një retrospektivë e tillë, meqë marrëveshja ishte kryesisht zgjidhje e një çështjeje dypalëshe mes dy fqinjëve. Gjithsesi, menjëherë pas saj, erdhi NATO-ja, afirmimi ynë i madh në botën demokratike dhe në Bashkimin Evropian, më saktë, por edhe në të gjithë botën demokratike, gjë që fatkeqësisht nuk u përmbush plotësisht, ajo që do të thotë pritshmëria jonë, e ky është edhe fillimi i bisedimeve me Bashkimin Evropian.
Sinqerisht, shpresoj se këtë do ta përfundojë kryeministri ynë i ri, z. Kovaçevski, i cili e filloi mirë misionin e tij për të gjithë popullin tonë dhe për mbarë shtetin e që është përmbushja e njërit prej dy qëllimeve të mbetura strategjike, e ky është fillimi i bisedimeve me Bashkimin Evropian dhe gjithsesi avancimi i standardit ekonomik të mbarë popullit tonë.

