Xhang Xuo: Kontesti duhet të zgjidhet me dialog, inkurajojmë Rusinë dhe Ukrainën për bisedime të drejtpërdrejta

Shkup, 12 mars – Kontestet duhet t’i zgjidhim me mjete paqësore përmes dialogut dhe bisedimeve. Dhe duhet të kemi parasysh paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon dhe të vendosim arkitekturë të balancuar, efektive dhe të qëndrueshme evropiane të sigurisë, shprehet në intervistën për MIA-n ambasadori kinez në vend, Xhang Xuo, duke iu referuar zhvillimeve aktuale rreth krizës ruso-ukrainase.

“Situata aktuale në Ukrainë është shqetësuese”, thekson ambasadori kinez dhe shton se pala kineze ka shprehur keqardhje të thellë për shpërthimin e sërishëm të luftës në kontinentin evropian.

Në pyetjen pse Kina ishte e përmbajtur gjatë votimit në Asamblenë e Përgjithshme të KB-ve për rezolutën me të cilën u dënua agresioni rus në Ukrainë, nuk jep përgjigje të drejtpërdrejt, por bën të ditur se Pekini beson se në mënyrë që të zgjidhet kriza aktuale duhet të mbështeten qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara (KB) dhe të respektohet dhe mbrohet sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha vendeve.

“Ajo që nevojitet për zgjidhjen e çështjeve të ndërlikuara është një kokë e ftohtë dhe mendje racionale, e jo t’i hidhet vaj zjarrit, gjë që vetëm do ta intensifikonte situatën. Kriza e Ukrainës mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut dhe bisedimeve”, thekson ambasadori kinez Xhang Xuo.

Në raport me mundësinë që Kina të përfshihet si ndërmjetëse mes Rusisë dhe Ukrainës në tejkalimin e konfliktit, Xhang Xuo shprehet se Pekini vazhdon të lehtësojë dialogun për paqe dhe të mbajë komunikim të afërt me të gjitha palët.

“Kina konsideron se sa më e tensionuar që të jetë situata, aq është më e rëndësishme që bisedimet të vazhdojnë. Sa më i gjerë që të jetë mospajtimi, aq më e madhe është nevoja për t’u ulur dhe për të biseduar. Inkurajojmë Rusinë dhe Ukrainën që të zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta”, porositi ambasadori kinez.

Me ambasadorin Xhang Xuo biseduam edhe për sanksionet e vendosura ndaj Rusisë dhe implikimet e tyre eventuale në marrëdhëniet e Kinës me të gjitha palët e prekura. Sipas Xhang Xuo, realiteti ka dëshmuar që moti se sanksionet nuk i zgjidhin problemet, por krijojnë të reja.

“Kjo do të rezultojë me një situatë kur më shumë lojtarë do të humbin dhe do të prishet procesi i zgjidhjes politike. Detyrë urgjente për momentin është të parandalohet që situata e tendosur të përshkallëzohet ose madje edhe të dalë jashtë kontrollit”, thekson ambasadori kinez.

Për marrëdhëniet me Moskën, ambasadori kinez shprehet se Kina dhe Rusia njëra me tjetrën janë fqinjët më të rëndësishëm dhe të afërtë dhe partnerë strategjikë, të cilat i kanë dërguar porosi të qartë botës se bashkërisht kundërshtojnë tentimet për të jetësuar të menduarit nga Lufta e ftohtë. Nga ana tjetër, për marrëdhëniet me SHBA-në thekson se në botën e globalizuar dhe të ndërvarur në mënyrë të ndërsjellë për atë se si Kina dhe SHBA-të gjejnë rrugën e mirëfilltë përpara dhe arrijnë të pjatohen, është edhe çështje e re për njerëzimin dhe formulim që Pekini dhe Uashingtoni duhet ta përpunojnë së bashku.

Për relacionet me BE-në, nga ana tjetër, thekson se politika e Kinës ndaj Evropës është e qëndrueshme dhe konsistente. “Ajo nuk do të preket nga çfarëdo kthese e zhvillimeve. Do të vazhdojmë të mbështesim pavarësinë e Evropës dhe të BE-së të bashkuar dhe prosperuese”, theksoi Xhang Xuo.

Në intervistë ai iu përqendrua edhe në nismën që e propozoi presidenti kinez Si Xhinping për ndihmën humanitare për Ukrainën, për perspektivat për anëtarësimin e Kievit në NATO, por edhe për debatet e sapohapura për integrim në BE.

“Kina do të vazhdojë të mbështesë integrimin evropian, të mbështesë BE-në me unitet dhe prosperitet më të madh dhe të mbështesë autonominë strategjike evropiane. Besojmë se BE-ja është e aftë të përballet me zgjerimin e saj”, thekson Xhang Xuo.

Ambasadori kinez, duke folur për zhvillimet aktuale botërore, përmendi se Pekini do të punojë me të gjitha fuqitë progresive në botë, duke përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, për zhvillimin dhe për ndërtimin e së ardhmes së përbashkët.

Në vazhdim vijon intervista e plotë me ambasadorin kinez Xhang Suo, së bashku me materialin video:

Fokusi i botës ditëve të fundit është drejtuar në situatën në Ukrainë. Praktikisht në mes të Evropës kemi luftë, e gjithë kjo shkakton shqetësim të madh dhe ndikon në të gjitha aspektet e jetesës sonë. Kina ka shprehur tashmë pozicionin e saj për zhvillimet në Ukrainë, por ju si përfaqësues i Kinës në Maqedoninë e Veriut, na tregoni pozicionin e vendit tuaj për atë që është duke ndodhur në Ukrainë dhe të na përgjigjeni pse Kina ishte e përmbajtur gjatë votimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për rezolutën me të cilën u dënua agresioni rus mbi Ukrainën?

– Kemi vërejtur raporte relevante. Situata e tanishme në Ukrainë është shqetësuese, ndërsa pala kineze ka shprehur keqardhje të thellë për shkak të shpërthimit të sërishëm të luftës në kontinentin evropian. Siç thotë një fjalë e urtë kineze, nevojitet më shumë se një ditë e ftohtë në mënyrë që të krijohet një metër akull. Situata në Ukrainë është bërë kjo që është sot për shkak të arsyeve të ndryshme të ndërlikuara. Ajo që nevojitet për zgjidhjen e çështjeve të ndërlikuara është kokë e ftohtë dhe mendje racionale, e jo hedhje e vajit në zjarr, gjë që vetëm do ta intensifikonte situatën. Kriza ukrainase mund të zgjidhet vetëm me dialog dhe bisedime.

Kina beson se në mënyrë që të zgjidhet kriza aktuale, ne duhet të mbështeten qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara (KB) dhe t’i respektojmë dhe mbrojmë sovranitetin dhe integritetin territorial e të gjitha vendeve. Duhet t’i përmbahemi parimit të sigurisë së pandashme dhe të pranojmë shqetësimet legjitime të sigurisë të palëve të përfshira. Kontestet duhet t’i zgjidhim me mjete paqësore përmes dialogut dhe bisedimeve. Dhe ne duhet të kemi parasysh paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon dhe të vendosim arkitekturë të balancuar, efektive dhe të qëndrueshme evropiane të sigurisë. realiteti ka dëshmuar që moti se sanksionet jo vetëm që nuk i zgjidhin problemet, por edhe do të krijojnë të reja. Kjo do të rezultojë me një situatë kur më shumë lojtarë do të humbin dhe do të prishet procesi i zgjidhjes politike. Detyrë urgjente për momentin është të parandalohet që situata e tendosur të përshkallëzohet ose madje edhe të dalë jashtë kontrollit. Shpresojmë që luftimet do të përfundojnë sa më shpejt, do të lehtësohet situata në terren, do të ndërmerren hapa për të garantuar në mënyrë efektive sigurinë e jetës dhe pronës së civilëve dhe do të parandalohet një krizë humanitare me përmasa të mëdha.

Konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës shkaktoi krizën më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Aksionet ushtarake ruse në Ukrainë janë zgjeruar edhe në objektiva joushtarake. Ditëve të fundit ka raporte për sulm mbi spitalin e fëmijëve në Mariupol, ka edhe shembuj të tjerë të tillë në ditët që lamë pas. A mund të ndihmojë Kina në zgjidhjen e konfliktit, a ka mundësi që Kina të jetë ndërmjetësuese në zgjidhjen e konfliktit, siç propozoi para do kohë edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë, Zhozep Borrell?

– Për çështjen e Ukrainës, Kina vazhdon të lehtësojë dialogun për paqe dhe të mbajë komunikim të afërt me të gjitha palët. Më 8 mars, presidenti Si Xhinping mbajti samit virtual me liderët e Francës dhe Gjermanisë dhe shkëmbeu mendime për çështjen ukrainase. Presidenti Si theksoi se duhet t’i mbështesim bashkërisht bisedimet paqesore mes Rusisë dhe Ukrainës dhe të inkurajojmë të dyja palët që të ruajnë momentumin e bisedimeve, në mënyrë që t’i tejkalojnë vështirësitë, t’i vazhdojnë bisedimet dhe të sjellin epilogë të qetë. Në ditën e dytë të konfliktit, presidenti Si Xhinping bisedoi përmes telefonit me presidentin rus Vlladimir Putin dhe shprehu dëshirën e Kinës për bisedime paqësore mes Rusisë dhe Ukrainës, sa më shpejt që të jetë e mundur. Putini u përgjigj pozitivisht. Këshilltari shtetëror kinez dhe ministër i Jashtëm Vang Ji komunikoi dhe ishte në koordinim me ministrin e Jashtëm rus Sergej Llavrov, Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Zhozep Borrell, ministrin e Jashtëm të Ukrainës Dëmitro Kuleba, ministren e Jashtme gjerman Analena Bebok dhe sekretarin shtetëror amerikan Entoni Blinken.

Rusia dhe Ukraina zhvilluan tri raunde të bisedimeve. Ministrat e jashtëm të Rusisë dhe Ukrainës zhvilluan bisedime në Antali, Turqi. Shpresojmë që bisedimet të arrijnë përparim të mëtejshëm. Kina konsideron se sa më e tensionuar që të jetë situata, aq është më e rëndësishme që bisedimet të vazhdojnë. Sa më i gjerë që të jetë mospajtimi, aq më e madhe është nevoja për t’u ulur dhe për të biseduar. Inkurajojmë Rusinë dhe Ukrainën që të zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta. Ne, po ashtu, inkurajojmë SHBA-në, NATO-n dhe BE-në që të përfshihen në një dialog të barabartë me Rusinë, të përballen me përleshjet dhe problemet e akumuluara gjatë viteve, të ndjekin parimin e sigurisë së pandashme dhe të përpiqen të ndërtojnë një mekanizëm të balancuar, efektiv dhe të qëndrueshëm evropian të sigurisë. Kina është e gatshme të vazhdojë të luajë rol konstruktiv në lehtësimin e dialogut për paqe dhe të punojë së bashku me bashkësinë ndërkombëtare, kur është e nevojshme të zbatohet ndërmjetësimi i domosdoshëm.

Përmendët bisedën me liderët e Francës dhe Gjermanisë, vërejtëm se presidenti kinez Si Xhinping gjatë samitit virtual me liderët e këtyre dy shteteve përmendi se Kina ka propozuar iniciativë për situatën humanitare në Ukrainë, e cila e shohim se ditëve të fundit është duke u përkeqësuar gjithnjë e më shumë. Ka të dhëna nga UNICEF se rreth një milion fëmijë janë tashmë refugjatë nga Ukraina, e në fakt edhe numri i refugjatëve po rritet dita-ditës. Për çfarë iniciative bëhet fjalë, presidenti kinez përmendi se Kina është e gatshme për ndihmë të mëtejshme humanitare për Ukrainën?

– Kur presidenti Si Xhinping ishte i pranishëm në samitin virtual me liderët e Francës dhe Gjermanisë, ai theksoi se duhet të bëjmë thirrje për përmbajtje maksimale në mënyrë që të parandalohet një krizë masive humanitare. Kina ka propozuar iniciativë prej gjashtë pikash për situatën humanitare në Ukrainë dhe është e gatshme t’i sigurojë Ukrainës dërgesa plotësuese me ndihmë humanitare. Përmbajtja e iniciativës prej gjashtë pikave që e propozoi Kina: së pari, operacionet humanitare t’i përmbahen parimeve të neutralitetit dhe paanshmërisë dhe të evitohet politizimi i çështjeve humanitare; së dyti, kushtojuni vëmendje të plotë personave të shpërngulur në dhe nga Ukraina dhe sigurojuni strehim përkatës, së treti, të sigurohet mbrojtja e civilëve dhe të parandalohen katastrofat sekondare humanitare në Ukrainë; së katërti, të sigurohen aktivitete të sigurta dhe të papenguara për ndihmë humanitare, duke përfshirë edhe sigurimin e qasjes së shpejtë, të sigurt dhe të papenguar humanitar, së pesti, të garantohet siguri për shtetasit e huaj në Ukrainë, të mundësohet largimi i sigurt dhe të ndihmohet që ata të kthehen në vendet e tyre amë dhe së gjashti, mbështetni rolin koordinues të OKB-së në kanalizimin e ndihmës humanitare dhe punës së Koordinatorit të krizës të KB-ve për Ukrainën.

Kina e ka parashtruar publikisht këtë iniciativë prej gjashtë pikash për të parandaluar një krizë humanitare në Ukrainë, që synon kryesisht nxitjen e sinergjisë mes bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që të shmanget përkeqësimi i mëtejshëm i situatës humanitare në Ukrainë. Me kërkesë të palës ukrainase, Organizata e Kryqit të Kuq të Kinës do të sigurojë një varg ndihmash humanitare për Kryqin e Kuq të Ukrainës. Dërgesa e parë u nis nga Pekini më 9 mars dhe për një kohë sa më të shkurtër të mundshme do t’i dorëzohet Kryqit të Kuq të Ukrainës. Kina është e gatshme të luajë një rol aktiv së bashku me bashkësinë ndërkombëtare dhe do të vazhdojë përpjekjet e saj për të ndalur krizën humanitare.

Perëndimi po forcon sanksionet ndaj Rusisë, sanksionet janë të ndryshme, SHBA-ja ka vendosur një lloj tjetër sanksionesh nga ato që janë duke i vendosur vendet e BE-së dhe ato në kontinentin evropian. A do të ndikojnë në ndonjë mënyrë këto sanksione në marrëdhëniet e Kinës dhe Rusisë dhe gjithsesi a do të ndikojnë në marrëdhëniet e Kinës me SHBA-në dhe me vendet nga kontinenti evropian?

– Kina dhe Rusia janë edhe anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe fqinjët më të rëndësishëm të afërt dhe partnerë strategjikë. Marrëdhënia jonë është një nga marrëdhëniet më të rëndësishme bilaterale në botë. Bashkëpunimi ynë jo vetëm që avancon interesat e të dy popujve, por kontribuon edhe për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin në botë. Vitin e kaluar, të dyja palët shënuan 20 vjetorin e marrëveshjes kinezo-ruse për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim miqësor. Duke marrë parasysh peizazhin gjithnjë e më të ndërlikuar strategjik ndërkombëtar, përkushtimi ynë i përbashkët për miqësi të përhershme dhe bashkëpunim të ndërsjellë të dobishëm, siç është përcaktuar në Marrëveshjen, është shumë relevant dhe i rëndësishëm jo vetëm për të dyja palët, por edhe për vendet anembanë botës. Marrëdhënia mes Kinës dhe Rusisë vlerësohet për shkak të pavarësisë së saj. Ajo bazohet në mosaleancën, moskonfrontimin dhe mostargetimin e ndonjë pale të tretë. Ajo është e liruar nga përzierja ose mospajtimi nga palë të treta. Kjo është edhe ajo që na ka mësuar përvoja historike dhe inovacioni në marrëdhëniet ndërkombëtare. Jo shumë kohë më parë, dy vendet lëshuan deklaratë të përbashkët për marrëdhëniet ndërkombëtare që hyjnë në një epokë të re dhe zhvillim të qëndrueshëm global. I dërgojmë porosi të qartë botës se Kina dhe Rusia kundërshtojnë së bashku përpjekjet për të ringjallur të menduarit nga Lufta e ftohtë ose për të shkaktuar konfrontim të bazuar në ideologjinë dhe angazhohemi për demokraci më të madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe për qëllimet dhe parimet e Kartës së KB-ve.

Sipas Kinës, një garë mes fuqive të mëdha nuk duhet të jetë praktikë, ndërsa një lojë në të cilën njëri fiton aq sa humbet tjetri (shumë zero) nuk është zgjidhja e mirëfilltë. Në një botë të globalizuar dhe të ndërvarur, si e gjejnë Kina dhe SHBA-ja rrugën e mirëfilltë përpara dhe arrijnë të pajtohen, është një çështje e re për njerëzimin dhe formulimin që Kina dhe SHBA-ja duhet ta përpunojnë së bashku. Para 50 viteve, Kina dhe SHBA-ja lëshuan së bashku Komunikatën e Shangait. Ajo shënon gatishmërinë e dy vendeve të mëdha me sisteme të ndryshme shoqërore për të bashkëjetuar në paqe dhe ka nisur procesin e normalizimit të marrëdhënieve.

Duke shikuar prapa, Kina dhe Shtetet e Bashkuara, në frymën e kërkimit të gjuhës së përbashkët, duke ruajtur dallimet, mund të zëvendësonin konfrontimin me bashkëpunim, të avancojnë interesat e dy popujve tanë dhe ta bëjnë botën një vend më paqësor dhe më prosperues. Duke shikuar përpara, të dyja palët duhet të pranojnë bindjen që na ndihmoi të thyejmë akullin 50 vite më parë dhe të nisim një udhëtim të ri. Duhet të zëvendësojmë patjetër trikotominë “konkurruese-bashkëpunuese-kundërshtuese” me tre parimet e respektit të ndërsjellë, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit fitimtar, të kthejmë politikën kineze ndaj SHBA-së në rrugën e duhur të udhëhequr nga arsyeja dhe pragmatizmit dhe t’i vendosim marrëdhëniet mes Kinës dhe SHBA-së në rrugën e mirëfilltë të zhvillimit të shëndosh dhe të qëndrueshëm.

Kina dhe Evropa janë dy fuqi kryesore për paqen botërore, dy tregje të mëdha për zhvillimin e përbashkët dhe dy qytetërime të mëdha për përparimin njerëzor. Marrëdhënia Kinë-Evropë nuk është e orientuar ndaj ndonjë pale të tretë, as nuk është e nënshtruar apo e kontrolluar nga ndonjë palë e tretë. Dialogu dhe bashkëpunimi mes dy palëve në bazë të respektit të ndërsjellë dhe dobinë e ndërsjellë do të shtojnë më shumë faktorë stabilizues në një botë të paqëndrueshme. Megjithatë, disa fuqi nuk janë të kënaqura që shikojnë rritjen e vazhdueshme të marrëdhënieve mes Kinës dhe Evropës. Ata shpikin narrativën për “kërcënimin kinez”, bëjnë konkurrencë me Kinën, deklarojnë se e shohin Kinën si “rival sistemor”, madje vendosin edhe sanksione dhe provokojnë një konfrontim me Kinën. Kina dhe Evropa duhet të jenë gjendje të gatishmërisë së lartë kundër këtyre zhvillimeve.

Kina i shikon marrëdhëniet e saj me Evropën nga një perspektivë strategjike, afatgjate. Politika e Kinës ndaj Evropës është e qëndrueshme dhe konsistente. Ajo nuk do të preket nga çfarëdo kthese e ngjarjeve. Do të vazhdojmë të mbështesim pavarësinë e Evropës dhe BE-në e bashkuar dhe prosperuese. Ndërkohë, shpresojmë që Evropa të zhvillojë perceptim më të pavarur dhe më objektiv për Kinën, të miratojë politikë më pragmatike dhe më racionale ndaj Kinës dhe të punojë me Kinën në mënyrë që të kundërshtojë luftën e re të ftohtë dhe të mbështesë dhe të veprojë në drejtim të multilateralizmit të mirëfilltë.

Ju përmendët Luftën e ftohtë, para do kohë e fundit bashkëkryetarja e partisë politike gjermane Alternativa për Gjermaninë, Alis Vajdell, deklaroi se ata nga Perëndimi, të cilët, sipas saj, “kanë qëndrim më të ngurtë dhe udhëhiqen nga logjika e Luftës së ftohtë, ia kanë premtuar Ukrainës anëtarësimin e pamundur në NATO, duke mos marrë parasysh pozicionin e Rusisë”. A konsideroni se anëtarësimi i Ukrainës në NATO është i pamundshëm?

– Ndikimi i kombinuar i ndryshimeve të mëdha globale dhe pandemisë, të dyja të papara brenda një shekulli, ka sjellë më shumë sfida globale që duhet zgjidhur përmes bashkëpunimit global. Prandaj, pikëpamja e Alis Vajdell është shumë racionale dhe depërtuese. Në fakt, daton që nga viti 1997, Xhorxh Kenan, ish-ambasadori i SHBA-së në Bashkimin Sovjetik, paralajmëroi se zgjerimi i NATO-s deri te kufijtë e Rusisë do të ishte gabimi më fatal i politikës amerikane në gjithë epokën e pas Luftës së ftohtë. Në vitin 2014, Dr. Kisinxher tha se Ukraina nuk duhet të pozicioni i parë i i asnjërës palë kundër tjetrës, e anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të ishte “vijë e kuqe”. Profesori amerikan Xhon Marshajmer në vitin 2015 tha se ndonëse është udhëhequr nga doktrina Monro, SHBA-ja nuk ka ndërprerë asnjëherë përpjekjet për ta futur Ukrainën në kampin perëndimor. Rusia, si fuqi e madhe, nuk do të pajtohet kurrë me një hap të tillë të SHBA-së dhe Perëndimit. Tomas L. Fridman, ekspert i njohur amerikan për çështjet ndërkombëtare, në artikullin e tij të paradokohshëm tha se Amerika dhe NATO “nuk janë kalimtarë të pafajshëm në krizën ukrainase”. Sipas tij, “cungu i madh” që ndezi këtë zjarr ishte vendimi i SHBA-së për të zgjeruar NATO-n drejt lindjes. Fatkeqësisht, këto vlerësime të drejta, objektive dhe racionale nuk arritën të vendosen në politikat e SHBA-së, Perëndimit dhe NATO-s. Siç vëren presidenti Si Xhinping, “mes rrëkeve të furishme të krizës globale, vendet nuk lundrojnë ndaras në rreth 190 varka të vogla, por të gjitha në anije gjigante nga e cila varet fati ynë i përbashkët”. Varkat e vogla mund të mos i mbijetojnë stuhisë, por anija gjigante është mjaft e fortë për të përballuar stuhinë”.

Kina beson gjithmonë se siguria e një vendi nuk duhet të jetë në kurriz të sigurisë së vendeve të tjera, e aq më pak siguria rajonale duhet të realizohet me zgjerimin e blloqeve ushtarake. Çështja e Ukrainës shkoi shumë më larg fushëveprimit bilateral të marrëdhënieve mes Rusisë dhe Ukrainës. Duke marrë parasysh pesë raundet e njëpasnjëshme të zgjerimit të NATO-s drejt lindjes, kërkesat legjitime të sigurisë të Rusisë duhet të merren seriozisht dhe të trajtohen në mënyrë përkatëse. Paqja është premisa dhe baza për zhvillim të çdo lloji. Vendet duhet të ndjekin vizionin e sigurisë së përbashkët, gjithëpërfshirëse, bashkëpunuese dhe të qëndrueshme, të hedhin poshtë termin e sigurisë ekskluzive ose absolute dhe të mbeten të përkushtuara në ndërprerjen e konflikteve përmes bisedimeve, zgjidhjes së mosmarrëveshjeve përmes dialogut dhe rritjes së besimit të ndërsjellë përmes bashkëpunimit, për ndërtimin e përbashkët të një bote të paqes së përhershme.

Z. Ambasador, sipas asaj që u përgjigjët, rezulton se fatin e shteteve më të vogla e vendosin ato më të mëdhatë. Megjithatë, Ukraina është shtet sovran dhe ka dëshirë të bëhet anëtare e NATO-s. Mirëpo, me këtë krizë, tani është hapur një proces i ri, u hap çështja e anëtarësimit të Ukrainës në BE. Kjo tashmë po debatohet në institucionet evropiane, por anëtarësimi në BE nuk është proces që ndodh nga sot për nesër, Ukraina nuk është as kandidate për anëtarësim, a mendoni se fillimi eventual i këtij procesi do ta qetësonte situatën, por edhe se si do të ndikonte e gjithë kjo në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku kemi situatë në të cilën shtetet me vite të tëra negociojnë për anëtarësim në BE, por kemi edhe shtete të tilla si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, që nuk i kanë filluar fare bisedimet për anëtarësim në BE?

– Bota është vërtet larg nga të qenët i qetë. Para syve tanë janë duke ndodhur ndryshime të thella të papara brenda një shekulli. Çfarë duhet bërë? Kina beson fuqishëm se rruga e duhur përpara është në një solidaritet dhe bashkëpunim më të madh nën flamurin e multilateralizmit dhe përpjekjeve të përbashkëta për të ndërtuar një bashkësi me të ardhme të përbashkët për njerëzimin. Kina dhe BE-ja ndajnë mirëkuptim shumë të përbashkët për promovimin e paqes, për të kërkuar zhvillim dhe avancim të bashkëpunimit. Zhvillimi i Kinës do të krijojë hapësirë më të gjerë bashkëpunimi mes Kinës dhe BE-së. Kina do të vazhdojë të mbështesë integrimin evropian, të mbështesë BE-në me unitet dhe prosperitet më të madh dhe të mbështesë autonominë strategjike evropiane. Ne besojmë se BE-ja është e aftë të përballet me zgjerimin e saj. Marrëdhëniet e Kinës me Ballkanin Perëndimor, vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore dhe BE-në janë platforma për dialog, shkëmbim dhe bashkëpunim mes popullit kinez dhe evropian. Kina është e gatshme të punojë me vendet evropiane dhe BE-në për të sjellë stabilitet dhe siguri më të madhe në botën turbulente dhe të ndryshueshme në rrugën e duhur të thellimit të partneritetit gjithëpërfshirës strategjik Kinë-BE. Në një botë të paqëndrueshmërisë dhe transformimit, Kina shërben gjithmonë si spirancë për stabilitet dhe forcë për të mirën dhe qëndron gjithmonë në anën e duhur të historisë. Presidenti kinez Si Xhinping propozoi Iniciativën e Zhvillimit Global (GDI) në Kombet e Bashkuara Pjesa qendrore e GDI-së është t’i vendosë njerëzit përpara dhe në qendër. Qëllimi i tij kryesor është të lehtësojë zbatimin e Agjendës për Zhvillim të Qëndrueshëm në vitin 2030. Duke iu përgjigjur nevojave të palëve të ndryshme, GDI shpejt u mirëprit dhe mbështet ngrohtësisht nga KB-të dhe nga thuajse 100 vende. Kina do të punojë me të gjitha vendet, duke përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, për të vazhduar dhe ndjekur GDI-në, duke siguruar që asnjë vend apo individ të mos anashkalohet dhe të ndërtojmë bashkërisht bashkësinë globale të zhvillimit.

Sivjet shënohet dhjetëvjetori i fillimit të mekanizmit të bashkëpunimit të Kinës me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, për të cilin tani hapen mundësi të reja. Kina është e gatshme të punojë me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, duke përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, për të zbatuar në mënyrë aktive konsensusin e arritur në Samitin mes Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore në shkurt të vitit të kaluar. Kina është e gatshme të thellojë bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut përmes përfitimeve të ndërsjella, si dhe të forcojë bashkëpunimin e përbashkët në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë”, që është pjesë e platformës së Kinës me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, lidhur me strategjitë zhvillimore të Maqedonisë së Veriut, siç është plani i rimëkëmbjes pas pandemisë.

Kina do të vazhdojë të mirëmbajë perspektivën globale, të respektojë përgjegjësitë tona dhe të mbajë lart flamurin e paqes, zhvillimit dhe bashkëpunimit fitimtar, të promovojë ndërtimin e një lloji të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe bashkësisë me të ardhme të përbashkët për njerëzimin. Pekini do të punojë me të gjitha forcat progresive në botë, duke përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, për zhvillim dhe së bashku për një të ardhme të përbashkët.