Xhaferi: Sa më shpejtë të fillojnë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë

Shkup, 29 mars – Republika e Maqedonisë së Veriut vite me radhë është faktor aktiv i misioneve paqësore të BE-së për përballjen me krizat, duke e demonstruar në këtë mënyrë gatishmërinë e saj të plotë për të kontribuuar në rajonet kritike bashkë me kolegët e vendeve anëtare të Unionit. Zhvendosjet aktuale tektonike në sferën e sigurisë shkojnë në favor të avancimit të rezistencës së BE-së dhe nevojës për përforcimin e partneriteteve me vendet kandidate. Në këtë kontekst e përshëndesim nismën për integrimin e plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Kompasin strategjik dhe mundësinë për qasje në fondin Evropian të mbrojtjes, sepse jemi të bindur se inkuadrimi jonë do të ketë refleksion të drejtpërdrejtë në paqen dhe sigurinë në rajonin tonë, ndërsa në mënyrë indirekte në paqen dhe sigurinë e tërë kontinentit, porositi sot kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi në konferencën e kryetarëve të Parlamenteve të BE-së që mbahet në Bërdo të Kranjit.

Sipas Xhaferit, stabiliteti, siguria dhe prosperiteti i Republikës së Maqedonisë së Veriut në dekadat e kaluara, në masë të madhe kanë të bëjnë me mbështetjen e pashtershme mbi baza të ndryshme nga ana e Bashkimit Evropian dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Në Konferencën me temë “Bashkimi Evropian si garantues i stabilitetit, sigurisë dhe përparimit të rajonit (dhe më gjerë), ai ka veçuar katër momente kryesore nga historia e përbashkët me Unionin.

“Momenti i parë është vendosja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1995, me çka u hapën mundësitë për një bashkëpunim mbi marrëveshje në më shumë fusha me interes të ndërsjellë, sidomos bashkëpunimi i cili zhvillohet përmes Marrëveshjes të Stabilizim Asocimit; Momenti i dytë është kontributi juaj për Marrëveshjen kornizë të Ohrit në vitin 2001, me të cilën sot e kremtojmë bashkëjetesën në shtetin tonë dhe momenti me të cilin e evituam fatin që e përjetuan pjesa më e madhe e fqinjëve tanë në rajon; Momenti i tretë ka të bëjë me inkuadrimin tuaj të drejtpërdrejtë në tejkalimin e krizës më të madhe politike në vendin tonë në vitin 2015 dhe përpjekjet që i bëtë që ne përsëri të kthehemi në rrugën tonë eurointegruese dhe momenti i fundit është mbështetja juaj për tejkalimin e çështjeve të hapura me Republikën e Greqisë dhe Republikën e Bullgarisë, si pjesë e parakushteve për fillimin tonë të negociatave për anëtarësim në Union”, ka thënë Xhaferi në fjalimin e tij.

Për zbatimin e obligimeve që krijohen nga epilogu i këtyre katër momenteve kyçe, ai tha se Unioni ndan mjete financiare shumë të mëdha, me qëllim që institucionet tona të mund t’i realizojnë aktivitetet e rëndësishme reformuese dhe me këtë edhe qytetarët tanë të mund t’i ndjejnë standardet që i gëzojnë qytetarët e BE- së.

“Me këtë rast, dëshiroj të shpreh falënderim të veçantë për këtë ndihmë gjithë këto vite, por edhe për ndihmën që na e dërguat për menaxhimin e pasojave nga pandemia e shkaktuar nga virusi Kovid – 19. Si deputetë, e përshëndesim bashkëpunimin shumëdekadësh me Parlamentin Evropian, sidomos në suazat e Dialogut Zhan Mone, i cili kontribuon në masë të madhe në avancimin e dialogut politik në Kuvendin tonë”, ka shtuar Xhaferi.

Në mënyrë rajonale, theksoi ai bashkëpunimi i formalizuar i Parlamentit Evropian në nivelin më të lartë – me iniciativën e kryetarit Sasoli – të Samitit të kryetarëve të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, “për ne është me rëndësi të jashtëzakonshme, duke e marrë parasysh faktin se e njëjta na mundëson që përmes dialogut inkluziv të japim kontributin tonë në procesin e pajtimit si faktor i stabilitetit, avancimit dhe prosperitetit të rajonit”.

“Qëllimi i kësaj retrospektive ishte të konfirmoj rolin e pakontestueshëm të Bashkimit Evropian për atë që është sot Republika e Maqedonisë së Veriut: demokraci funksionale, vend i cili shërben si shembull i multikulturizmit, i multikonfesionalizmit dhe multietnicitetit në rajonin dhe më gjerë, vend i cili i zgjidh në mënyrë paqësore çështjet e hapura me fqinjët dhe vend i cili investon përpjekje maksimale për të përmbushur reformat dhe kriteret komplekse për fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, shton ai.

Ne jemi partner i përkushtuar i Bashkimit Evropian, thekson Xhaferi i cili kontribuon në mënyrë aktive për sigurinë dhe stabilitetin e tij, sidomos në çastet e valës së refugjatëve, siç ishte kriza në vitin 2015.

Konfirmim parlamentar për këtë siç nënvizon është Deklarata që e miratuam më 3 mars, me të cilën i dënuam në mënyrën më të rreptë sulmet luftarake që i rrezikojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës dhe apeluam të institucionet vendore të ndihmojnë në sigurimin e ndihmës humanitare për refugjatët nga Ukraina.

“Këtë e bëmë në radhë të parë për arsye personale dhe morale si qenie njerëzore, por edhe për shkak të faktit se si dëshmitarë të shumë konflikteve në rajonin tonë, bashkëndjejmë thellë me qytetarët e Ukrainës, na vjen keq për jetët e humbura dhe apelojmë për gjetjen sa më të shpejtë të zgjidhjes diplomatike dhe ndërprerjen e të gjitha veprimeve luftarake”, është shprehur Xhaferi,

Është koha që juaj vizioni për ardhmërinë e Evropën të shndërrohet në vepra, procesi i zgjerimit të vazhdojë me dinamikë më të madhe dhe më në fund të fillojnë negociatat për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë sa më shpejtë, thekson mes tjerash kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.