Xhaferi – Manja: Presim deri në Qershor të hiqet bllokada ndaj Maqedonisë

Shkup, 7 prill – Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi në takimin e sotëm me ministrin e Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë, Ulsi Manja, i potencoi marrëdhëniet e deritanishme të shkëlqyera bilaterale ndërmjet dy vendeve, me konstatim se na bashkon miqësi dhe bashkëpunim i ndërsjellë dhe i sinqertë me tendencë që në periudhën në vijim akoma më shumë të përforcohen në suazat e integrimeve në BE, kumtoi kabineti i Xhaferit.

Kryetari i Parlamentit theksoi se pret që në qershor të këtij viti të ketë edhe njëfarë zgjidhjeje pozitive për aspiratat e përbashkëta të dy vendeve për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian.

“Me mysafirin konstatuan se të dy vendet e ndjekin politikën e përbashkët dhe të harmonizuar të NATO-s dhe BE-së dhe e dënojnë agresionin ushtarak rus mbi Ukrainën, me apel të përbashkët për qetësimin e situatës dhe ndërprerjen e veprimeve luftarake, e tëra me një qëllim, të vihet deri në zgjidhje të qetë në mënyrë diplomatike dhe të evitohen dëmet e mëdha materiale dhe viktimat e padashura. Ministri Manja, shprehu kënaqësi dhe falënderim për takimin me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, dhe shprehu respekt të lartë për rolin e tij në ndërtimin e ambientit të shtendosur politik në Kuvend, po ashtu edhe në shtet. Shprehu bindjen se marrëdhëniet miqësore ndërmjet dy vendeve do të vazhdojnë të zhvillohen edhe në vitet në vijim”, thuhet në kumtesë.

Shkas për qëndrimin e ministrit të Drejtësisë së Shqipërisë në vend, është konferenca e ministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor me fokus në luftën kundër korrupsionit.

“Ministri Manja shprehu shpresën se edhe në këtë plan, vendet e rajonit do të tregojnë rezultate të mira. Po ashtu, ministri shqiptar iu bashkëngjit konstatimit të Kryetarit Xhaferi se deri në muajin qershor me të vërtetë do të ketë ndonjë zgjidhje pozitive në kontekst të aspiratave për anëtarësim në BE dhe se do të tejkalohen bllokadat, që do të jetë jashtëzakonisht me rëndësi për të dy vendet. Në fund, të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se bashkëpunimi politik intensiv do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme, me zgjerim në çdo fushë me interes të ndërsjellë”, informoi Kabinetit i kryetarit të Kuvendit.