Vuçiq i shqetësuar nga brohoritjet “Kosova, Kosova” në West Point, e përmend edhe trajnimin e FSK-së
Brohoritjet “Kosova, Kosova” nga ushtarët dhe kadetët amerikanë në West Point, gjatë vizitës së presidentes Vjosa Osmani, nuk i ka pritur mirë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq me të arritur në New York ku po mbahet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, iu drejtua mediave, duke folur për vizitën e Osmanit dhe për Ushtrinë e Kosovës.
“E patë Vjosa Osmanin dje në West Point, ku ushtarët amerikanë brohorisnin për të dhe thërrisnin ‘Kosova, Kosova, Kosova’, gjë që nuk është e këndshme për ne serbët ta shohim. Por mirë, jemi mësuar me shumë gjëra të tilla. Vetëm qetësi, durim dhe qëndrueshmëri”, tha Vuçiq, shkruan Kossev.
“Ata kanë kuadro të mira, të trajnuara, nuk ka dyshim për këtë. Ne i dimë numrat e saktë, por nuk do të flas për këtë tani. Nuk është diçka që mund të kërcënojë Ushtrinë e Serbisë, por që mund të kërcënojë mbijetesën e serbëve në Kosovë, kjo nuk ka asnjë dyshim”, tha ai.