Vuçiç: Kurti pengon dialogun, po përballemi me presione, qëllimi ynë paqja e stabiliteti

Kreu i shtetit serb gjithashtu ka nënvizuar se do ti përgjigjet provokimeve të Prishtinës dhe nuk do të lejoje progresin e saj në integrimin euroatlantik.

“Kemi patur bisedime të rëndësishme, kemi tentuar të bisedojmë edhe me përfaqësuesit e Prishtinës por qëkurse është Kurti në pushtet, kemi pasur 50 për qind rritje të numrit të incidenteve në Kosovë dhe Metohi. Po përballemi me presione, që të mos flitet fare për rezolutën 1244. Serbia gjithmonë do të reagojë ndaj provokimeve të Prishtinës, por qëllimi ynë është paqja dhe stabiliteti, e jo provokimi i konfliktit dhe luftës.”

Vucic ka shtuar se kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, do të pasohet me tërheqjen e njohjes së pavarësisë nga shumë shtete të tjera.

Sa i takon pozicionimit në krah të Rusisë, Serbia mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka vendosur sanksione ndaj Moskës, pavarësisht thirrjeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Në lidhje me këtë, presidenti serb edhe njëherë ka përsëritur se Beogradi do të vazhdojë rrugën drejt integrimit evropian por në të njëjtën kohë nuk do të braktisë miqtë.