Vrasja e Lleshit nga Mjacaj/ Florenc Doka emërohet drejtor i burgut të Peqinit

Florenc Doka do të jetë në krye të burgut të sigurisë së lartë në Peqin. Sipas burimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, RTSH mëson se emërimi i Dokës është firmosur nga Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

Emërimi i Dokës në krye të Burgut të Peqinit, vjen pak ditë pas arrestimit të paraardhësit të tij dhe disa zyrtarëve të tjerë, në lidhje me vrasjen e të dënuarit Arben Lleshi nga i dënuari me burgim të përjetshëm Sokol Mjacaj.

Prezantimi i Dokës është bërë këtë të premte nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Admir Abrija. Florenc Doka më herët ka qenë pjesë e sistemeve të burgjeve.

Të premten e 15 dhjetorit,  Sokol Mjacaj, i dënuar me burgim të përjetshëm, qëlloi për vdekje të burgosurin Arben Lleshi dhe plagosi shokun e tij të qelisë Indrit Shaqjën.

Sokol Mjacaj, ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çekë në Shkodër në vitin 2015, me qëllim grabitjen.  Më 19 dhjetor, Gjykata e Elbasanit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Sokol Mjacaj i cili vrau me armë zjarri Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqjan në ambientet e burgut të Peqinit.

Gjithashtu, gjykata vendosi “arrest me burg” për Kamber Hoxhën, i cili mbante postin e drejtorit të  burgut të Peqinit dhe 10 punonjës të këtij burgu.

Po ashtu edhe punonjësit e burgut të akuzuar për shpërdorim detyre u vendos e njëjta masë, ku përjashtim bëri vetëm Vilson Shima, edhe ky punonjës i burgut, ndaj të cilit u dha masa me detyrim paraqitje, pasi ka një fëmijë të paralizuar.