Von der Leyen: BE nuk është e kompletuar pa Ballkanin Perëndimor

Bruksel, 14 Shtator – Presidentja e Komisionit  Evropian Ursula von der Leyen, ka porositur se Bashkimi Evropian nuk do jetë i kompletuar pa vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në fjalimin rreth gjendjes në Bashkimin Evropian von der Leyen ka nënvizuar se shtetet e rajonit si Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia, do të bëhen pjesë e familjes së përbashkët Evropiane.

Fjalimi rreth gjendjes në BE, është momenti më i rëndësishëm vjetor kur kreu i KE para deputetëve të Parlamentit Evropian, prezanton situatën në shtetet dhe institucionet e BE-së. Është hera e parë në histori që “gjendja në BE” mbahet në kushte lufte në kontinentin evropian, ndërsa von der Leyen ishte e veshur me ngjyrat e flamurit ukrainas: kaltër e verdhë.

Ursula von der Leyen u shpreh në favor të formimit të Bashkësisë Politike Evropiane duke cilësuar se duhet të afrojmë shtete tjera të kontinentit evropian përtej procesit të anëtarësimit.

“Tash është koha për të investuar në forcën e demokracisë. Kjo punë nisë me grupin bazë të partnerëve që mendojnë si ne, me miqtë tanë në secilin komb demokratik në botë.  Ne e shohim botën me të njëjtin sy. Dhe ne duhet të mobilizojmë fuqinë tonë kolektive”, ka thënë ajo duke shtuar se mënyra më e shpejtë për të zgjeruar sundimin e demokracisë është të forcohen lidhjet me vendet demokratike në kontinentin evropian, raporton RTK.

Bashkësia Politike Evropiane është iniciativë e presidentit francez, Emmanuel Macron. Sipas propozimit francez në këtë Bashkësi do jenë të gjitha shtetet e kontinentit të cilat dëshirojnë ti bashkëngjiten vlerave të përbashkëta. Në këtë rrafsh planifikohet që pjesë e kësaj Bashkësie të janë edhe vendet e rajonit.

Për këtë iniciativë, liderët evropian kanë diskutuar në takimin e qershorit. Diskutimet konkrete në lidhje me formimin e Bashkësisë Politike Evropiane do zhvillohen në samit,  i cili do mbahet në Pragë, më 6 tetor. Në këtë samit, në mes tjerash, do marrin pjesë edhe liderët nga shtetet  e Ballkanit Perëndimor.