VMRO-DPMNE-ja është trashëgimtare e Vanço Mihajllovit, e njeh dhe krenohet me të, porositi Kovaçevski

Shkup, 28 prill – Qëndrimi im personal dhe qëndrimi i partisë sime për figurën negative dhe veprën e Vanço Mihajllovit nuk ka ndryshuar. Qëndrimi është i njëjtë, porositi kryetari i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, duke u përgjigjur në pyetjen e parashtruar nga deputetja e VMRO-DPMNE-së, Rashella Mizrahi, për qëndrimin e Qeverisë për hapjen e qendrës kulturore bullgare “Vanço Mihajjlov” në Manastir dhe si ka ardhur deri te hapja e saj.
“Qëndrimi im është i njëjtë dhe kur figura e tij ishte vendosur në Muzeun në Novo Sellë në Shtip, me fjalim të kryetarit tuaj të nderuar, personit të dënuar për krim dhe të arratisurit Nikolla Gruevski. Qëndrimi im negativ për të, është njëjtë edhe kur figura e tij ishte vendosur edhe në Muzeun në Shkup, si pjesë e krimit të Gruevskit dhe të partisë suaj dhe bashkëpartiakëve tuaj në projektin më të madh kriminal – Shkupi 2014”, theksoi Kovaçevski.
Ai potencoi se nuk e di nëse opozita ka fotografi nga Mihajllovi në “Pallatin e Bardhë”, por siç tha e di se pikërisht VMRO-DPMNE-ja nga fillimet e saj është trashëgimtare e Vanço Mihajllovit.
Ai theksoi se një pjesë e themeluesve të Klubit “Vanço Mihajllov” janë fotografuar me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, duke shtuar se pikërisht ajo parti e feston figurën dhe veprën e Mihajllovit.
Ai njoftoi se ka plan që direkt ta informojë homologun e tij bullgar Kiril Petkov, se si Qeveri, gjatë këtij viti, kanë për qëllim të hapin qendër kulturore të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bllagoevgrad.
Ai theksoi se që nga formimi i kësaj Qeverie, qasja ndaj fqinjit lindor nuk është që të ketë marrëdhënie mbi narrativën e nacionalizmit dhe populizmit, por për tema që përballen me të ardhmen dhe që do të përfitojnë qytetarët e të dy vendeve, duke iu përgjigjur pyetjes së Mizrahit për provokimet e vazhdueshme të zyrtarëve të lartë bullgarë dhe qëndrimin e tyre negativ ndaj maqedonasve.
Në lidhje me draft-dokumentin e supozuar nga bisedimet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Kovaçevski theksoi se një dokument i tillë në Qeveri nuk ekziston.
Sa i përket dorëheqjes së tij dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, Kovaçevski tha se zgjedhje do të ketë në vitin 2024, në të cilat do të fitojë kandidat i partive të cilat tani janë pjesë e Qeverisë. /Zhurnal.mk