VMRO-DPMNE do t’i mbështesë masat anti-krizë, por do të dorëzojë amendamente

Shkup, 11 mars – VMRO-DPMNE do të votojë për masat e propozuara të qeverisë edhe pse konsideron se janë të vonuara dhe të pamjaftueshme, por nga kjo parti paralajmërojnë se do të dorëzojnë pesë amendamente me katër vërejtje esenciale.

“Ne do të votojmë për masat e propozuara edhe pse mendojmë se janë të vonuara. Shumë nga masat janë propozuara nga opozita para njëzet ditësh, ndërsa më 28 shkurt janë iniciuar si propozime në Kuvend. Pse qeveria refuzon të pranojë propozimet e opozitës nuk e di, por shohim se me këtë që po refuzohet, pas disa ditësh pranohet. Në mënyrë arrogante na ftojnë të pranojmë masat që ne kemi propozuar”, ka thënë Bojan Stojanovski, deputet i VMRO-DPMNE-së para mbajtjes së mbledhjes së sotme parlamentare.

Ai ka paralajmëruar se do të iniciojnë pesë amendamente me katër vërejtje esenciale për të cilat do të diskutohet në Komisionin për financa dhe buxhet dhe shpresojnë se pushteti do t’i pranojë. Do të kërkojnë 50 për qind ulje të akcizës së gazit dhe metanit, ulje të TVSH-së për nxehje prej 5 në 0 për qind, ulje të TVSH-së për energjensat për import prej 18 deri 5 për qind dhe kjo të zgjasë deri në fund të vitit.

Për pasdite në orën 15 është caktuar mbledhje e Kuvendit ku do të shqyrtohen propozimet e qeverisë për ndryshime të ligjeve për akcizat dhe TVSH.

Sipas qeverisë, ndryshimet dhe plotësimet duhet të sillen në procedurë urgjente parlamentare dhe të sigurohet ulje e çmimeve me pakicë dhe derivateve tjera të naftës.