Vetëvrasja e rreme, dredhia që përdorën ‘babagjyshi’ dhe trafikanti i kokainës për t’u arratisur nga burgu

Të dielën rreth orës 15:15, Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri, të burgosur në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale ‘Jordan Misja’ në Tiranë – i njohur gjithashtu si burgu 313, janë përpjekur të arratisen gjatë orarit të ajrimit. Përpjekja e dy të burgosurve për t’u larguar nga institucioni penitenciar është neutralizuar nga forcat e sigurisë.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve nga hetimet paraprake ka rezultuar se dy të burgosurit e kanë organizuar përpjekjen për arratisje në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Ata kanë përfshirë në skemën e tyre edhe një të burgosur të tretë, i cili ka simuluar një përpjekje për vetëvrasje për të tërhequr vëmendjen e forcave të sigurisë, çfarë do t’i mundësonte Çekajt dhe Pjetrit arratisjen.

“Dyshohet që tentativës para arratisjes i ka paraprirë një incident i kryer nga një i paraburgosur tjetër i cili ka tentuar të presë damarët e dorës, duke tërhequr kështu vëmendjen e forcave të sigurisë të cilat po merrnin masa për ta shoqëruar në spital për të marrë shërbimin e duhur shëndetësor,” tha Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në njoftim për shtyp.

“Të paraburgosurit kanë tentuar që të kryjenë arratisjen gjatë orarit të ajrimit, të cilët janë pikasur nga punonjësit e policisë së burgut 313, të cilët kanë marrë masat e duhura të menjëhershme për kapjen dhe neutralizimin e tyre,” shtoi njoftimi.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, gjatë përpjekjes për arratisje, dy të burgosurit kanë goditur dhe një prej policëve të burgut 313, i cili është dërguar për marrjen e ndihmës shëndetësore.

Arratisja e fundit e suksesshme nga burgu në Shqipëri është realizuar në vitin 2013, kur 7 të dënuar u larguan nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës.

Arbër Çekaj – një biznemen importi bananesh, është dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsioni me 14 vjet heqje lirie për trafikun e 613 kilogramëvë kokainë nga Ekuadori në Shqipëri në shkurt të vitit 2018. Ndërkohë, Fatmir Pjetri akuzohet se është pjesë e të ashtuqujturës banda e ‘Babagjyshëve’, një grup i strukturuar kriminal i akuzuar për një seri grabitjesh me armë të argjendarive në vitin 2013.

Drejtoria e Burgjeve njoftoi se pas përpjekjes të dështuar për arratisje tre të burgosurit janë vendosur në izolim, nën regjimin e mbikëqyrjes së veçantë sipas nenit 68 të ligjit “Për trajtimin dhe të drejtat e të burgosurve”.

Për ngjarjen është ngritur një grup hetimor nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm i Burgjeve dhe Drejtoria e Burgjeve, për hedhur dritë mbi të gjithë rrethanat e përpjekjes për arratisje dhe ndërmarrjen e veprimeve procedurale për dokumentin e saj.

“Për të tre të paraburgosurit po përgatiten kallzimet penale për kryerjen e veprave penale, të tentativës për arratisje “largim nga vendi I vuajtjes së dënimit” si dhe goditje për shkak të detyrës,” tha Drejtoria e Burgjeve, e cila theksoi se situata në në IEVP 313 është “nën kontroll.”

“Është urdhëruar në të njëjtën kohë rivlerësimi i kushteve të sigurisë në tërësi të institucionit 313 si dhe marrjen e masave administrative për rritjen e gadishmërisë në të gjitha institucionet penitenciare,” përfundoi ajo. /reporter.al/