Vetëdijësimi në komunikacion/ Nuk bëjnë punë as fushatat e MPB-së as gjobat ndaj shoferëve!

Shkup, 9 shtator – Ministria e Punëve të Brendshme me qëllim të jetë më transparent ndaj qytetarëve lidhur me aktivitetet e ndërmara gjatë ditës, njofton opinionin për gjobat dhe aksionet që organizon në territorin e gjithë vendit.

Policia në buletinin e saj ditor njofton për aktivitete arrestimi, për vjedhje, për aksidente rrugore, kafshim nga qenët endacak por edhe për shkelje në komunikacion nga shoferët. Këta të fundit ndoshta nuk pësojnë dëme materiale në komunikacion por pësojnë dëme finansiare duke u dënuar ashpër nga policët në teren. Sot MPB njoftoi se gjatë ditës së djeshme në gjithë territorin e shtetit janë gjobitur gjithsej 898 shoferë, një shifër tejet e madhe kjo duke marë parasysh gjendjen finansiare të qytetarëve në vend, edhe pse gabimet e rënda në komunikacion gjithsesi se nuk duhet të falen por duhet ndëshkuar.

Gjoba më e vogël në komunikacion mund të fillojë nga 50 euro duke vazhduar deri më 300 euro. Nëse këto gjoba i llogaritim me shumën prej 150 eurove mesatarisht, i bie që shteti nga qytetarët për një ditë ka fituar rreth 135 mijë euro vetëm për një ditë, shkruan Zhurnal.

Nga këto të dhëna i bie që thirrjet për kursim të energjisë elektrike për të paguar fatura më të ulëta, qytetarët ato kursime do t’i bëjnë për pagesën e gjobave në trafik. Gjithsesi, nuk duhet mbrojtur edhe shoferët e paedukuar në komunikacion mirëpo 900 dënime për një ditë me të vërtetë janë tepër.

Policia periudhën e fundit ka ndërmarë një plan operativ duke shkuar në çdo qytet dhe duke paralajmëruar shoferët që të jenë më të kujdesshëm gjatë ngasjes së veturës, por edhe të kenë kujdes për mbrojtjen e pasurisë së tyre private sepse janë shtuar vjedhësit e veturave, shtëpive dhe pasurive të ndryshme. MPB ka njoftuar qytetarët të jenë të kujdesshëm edhe nga mashtruesit me shitjen e drunjve, të cilët ofrojnë drunjë me çmim dukshëm më të lirë, ndërsa të mashtruarit paguajnë drunjtë e nuk marin asgjë në këmbim. Gjithashtu kishte edhe aksione paralajmërimi për të këshilluar qytetarët të mos festojnë me armë nëpër dasma dhe ahengje por sivjet nuk mund të themi se qytetarët kanë respektuar këtë këshillë të MPB-së. Në Sallarevë të Tetovës madje policia arrestoi një banorë të këtij fshati për gjuajtje me armë. Gjatë arrestimit, bashkëfshatarët tentuan të pengojnë policinë.

Gjithashtu, në ditën kur filloi viti i ri shkollor, dhe javën e parë të procesit mësimor, MPB angazhoi zyrtarë policorë të qëndrojnë para shkollave për të organizuar lëvizjen e veturave dhe lëvizjen e nxënësve.

Me edukimin preventiv “Të mbrojmë fëmijët në komunikacion”, fëmijëve u janë sqaruar rregullat bazë në komunikacion, ndërsa edhe shoferëve u është këshilluar për të patur kujdes kur lëvizin para ndonjë çerdhe apo shkolle.

Gjithsesi, si duket edhe pas gjithë këtyre fushatave nga policia, qytetarët nuk dëshirojnë të dëgjojnë dhe veprojnë kokë në vete dhe në varësi të ndjenjave momentale gjatë ngasjes. MPB njofton se ka shoferë të cilët lëvizin madje 70km në orë më tepër se sa e lejuara. Dje gjithashtu ishte kapur një shofer duke lëvizur 222km në orë në rrugën Veles-Kumanovë.

Gjobat e shumta dëshmojnë se qytetarët dhe shoferët nuk janë mjaftueshëm të kujdesshëm gjatë ngasjes, por kjo çështje duhet të rregullohet urgjentisht.

Asgjë nuk fiton nëse arrinë në destinacion 2-3 minuta më herët apo më vonë. Ngit veturën tënde me kujdes sepse për ty mund të jetë një kënaqësi çasti por për dikë tjetër mund të kushtojë me trauma dhe humbje jete.

MPB duhet të vazhdojë me fushata të ndryshme për këshillimin e shoferëve, veçanërisht në vendbanime sepse nëpër vendbanime ka lëvizje të qytetarëve, ka më tepër sinjale rrugore dhe më tepër rregulla. Gjoba duhet të ketë për shoferët që bëjnë shkelje të rënda sikurse hyrje në të kuqe, mos dhënie përparësi të këmbësorëve, kalim në vija të plota dhe shkelje tjera të rënda. Gjoba gjithashtu duhet të ketë edhe për këmbësorët e papërgjegjshëm që kalojnë në vija të plota e kërcejnë gardhe të ndryshme. Gjithçka do të ishte më e thjeshtë nëse të gjithë përpiqemi që të respektojmë rregullat ashtu si duhet./Zhurnal.mk