Vengu takon Cavolin: Modernizim i infrastrukturës portuale në Porto Romano

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu priti në një takim komandantin Suprem të Forcave Aleate në Evropë, njëherazi Komandant i Forcave amerikane në Europë, gjeneral Christopher G. Cavoli dhe delegacionin e tij.

Ministri Vengu dhe ushtaraku i lartë amerikan biseduan gjatë për situatën në rajon, mbështetjen e madhe që NATO vijon të japë në Kosovë dhe rrugëtimin e saj euro-atlantik, sikundër dhe nevojën që të adresohen njëzëri retorikat destabilizuese dhe influencat dezinformuese të aktorëve të tretë në vendet e rajonit.

Vengu falënderoi Gjeneral Cavolin për mbështetjen jetike që Shtetet e Bashkuara të Amerikës japin çdo ditë në rrafshin e modernizimit të Forcave tona të Armatosura si dhe fuqizimit të kapitalit tonë njerëzor.

Ministri rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës dhe garantoi se vendi ynë do të vijojë të kontribuojë për Ukrainën në këto ditë të vështira për të, si një investim në sigurinë e mbarë kontinentit.

Gjeneral Cavoli përshëndeti masat e marra për rivitalizimin e industrisë ushtarake në Shqipëri, jo vetëm si një instrument zhvillimi ekonomik, por gjithashtu si një industri që do të përshpejtojë rritjen e kapaciteteve të Shqipërisë në armatim dhe inovacion brenda planeve të Aleancës.

“Ecuria e zhvillimit dhe modernizimit të infrastrukturës portuale në Porto Romano zuri një vend të rëndësishëm në këtë takim. U ndalëm në detaje të rëndësishme të këtij projekti, si pjesë jetësore e infrastrukturës rajonale të Korridorit VIII, një korridor i dobishëm për sigurinë, lëvizshmërinë ushtarake si dhe zinxhirët e furnizimit të rajonit dhe mbarë Aleancës”, theksoi ministri Vengu në një postim në rrjetet sociale.