Vendos Qeveria, hiqet ndalesa për eksportin e vajit dhe grurit

Qeveria e Kosovës ka miratuar shfuqizimin e vendimit të marrë në muajin prill që ndalonte përkohësisht eksportimin e produkteve esenciale të produkteve agro-ushqimore.

Kryeministri, Albin Kurti, deklaroi se tashmë ka përmirësim të furnizimit me produkte esenciale, prandaj edhe është kërkuar shfuqizimi i këtij vendimi.

“Tani kemi përmirësim të furnizimit me produkte esenciale ushqimore në tregun e Republikës së Kosovës dhe lehtësime në furnizim me lëndë të parë për sasi të kontraktuara nga bizneset vendore andaj është propozuar shfuqizimi i këtij vendimi”, tha Kurti.

Edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, kërkoi që ky vendim të shfuqizohet.

“Qeveria e Republikës së Kosovës me vendimin nr 09/69 të datës 13 prill 2022 ka bërë ndalimin e përkohshëm të eksportit dhe ri-eksportit të produkteve esenciale agro-ushqimore. Ky vendim ishte marrë me qëllim të sigurimit të sasisë së mjaftueshme të produkteve esenciale në tregun e Kosovës si pasojë e luftës mes Ukrainës dhe Rusisë. Me përmirësimin e situatës kërkojë që ky vendim të shfuqizohet”, tha Hajdari.