Veliaj për Albright: Shqiptarët do ta kujtojnë si mbrojtësen më të fortë të dinjitetit njerëzor

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish Sekretares së Shtetit të SHBA-ve, Madeleine Albright.

“Bota humbi një grua të jashtëzakonshme, në një kohë kur njerëzimi është më i nevojshëm se kurrë. Shqiptarët në mbarë botën do të kujtojnë mbrojtësen më të fortë të dinjitetit njerëzor, luftëtaren e palodhur për të drejtat e njeriut dhe diplomaten brilante për bashkëjetesën njerëzore! Prehu në paqe Zonja Sekretare”, shprehet Veliaj.

Albright ishte Sekretare Shteti në kohën kur u zhvillua lufta në Kosovë. Ajo vlerësohet se pati ndikim të madh për të bindur SHBA-në dhe botën për krimet serbe që po kryheshin në Kosovë nga ushtria dhe policia serbe. Ajo u nda nga jeta dje në moshën 84-vjeçare.