Veliaj: Gati të përballem me Metën, zgjedhjet vitin tjetër, garë me dyshen Sali-Ilir

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, njëherësh edhe drejtues politik i PS për qarkun e Tiranës, tha se Partia Socialiste është e gatshme të përballet me Sali Berishën dhe Ilir Metën në zgjedhjet e ardhshme lokale, pavarësisht se mungon rreth një vit nga zgjedhjet.

“Kemi një narrativë shumë të bukur të punëve që janë bërë edhe nga Qeveria, edhe nga Bashkia. Pastaj, bujrum, përballë le të vijë kush të dojë. Nëse e bëjnë më mirë, le të vijnë ta provojnë. Nëse janë këta të lodhurit, që i kemi pasur këto 30 vjet, le të kombinohen si të duan, tek e tek, apo bashkë, për sa kohë që skuadra jonë është fituese, të tjerat janë detaje të panevojshme”, tha Veliaj.

Sipas kreut të bashkisë Sali Berisha dhe Ilir Meta janë në pjesë ne zezë të historisë

“Kaluam vitet 90-të, vitet e sakrificës, kaluam edhe vitet e opozitës me Saliun dhe Ilirin përballë që të vrisnin në Bulevard, por sot nuk i themi dot 10-vjeçarit të 2015-ës, i cili do të votojë për herë të pare në 2023, kujdes Saliun dhe Ilirin. Me shpresë se këtë do t’ia thotë libri i historisë, tek faqet e zeza apo do t’i dëgjojë nga prindërit, por detyra jonë nuk është të shajmë ata. Ne kemi detyrë tjetër: ne themi si do të përmirësohemi, si do të ecim më lart dhe si do ta hapim partinë edhe për të rinjtë”- tha Veliaj.

Ketë deklaratë Veliaj e bëri gjatë një takimi me socialistët e Njësisë 2 në kryeqytet.