Vdekja e hendbollistit Denis Tot/ Sulmuesit nuk ndjehen fajtorë, gjykimi vazhdon më 14 shtator

Shkup, 5 shtator – Të akuzuarit për vrasjen e hendbollistit kroat, Denis Tot, Anxhello Gjorgievski, Klementina Levkovska dhe Andrej Kostovski sot para Këshillit Gjyqësor në Gjykatën Themelore Penale në Shkup deklaruan se nuk ndjehen fajtorë për veprën penale për të cilën akuzohen.

Në seancën e sotme të parë gjyqësore nga ky proces, prokurorja Tanja Trajçevska e tha fjalën hyrëse të Prokurorisë në të cilën e shpjegoi aktakuzën me të cilën e përshkroi ngjarjen në të cilën hendbollisti kroat, Denis Tot, ishte rrahur deri në vdekje para një klubi të natës në parkun e qytetit në Shkup.

“Nga të gjitha ato goditje i dëmtuari ka marrë shumë lëndime, si dhe lëndime të rënda trupore dhe si rezultat i atyre lëndimeve te i dëmtuari ishte shkaktuar gjendje kome. I njëjti menjëherë ishte dërguar në Qendrën Urgjente në Qendrën Klinike Nëna Terezë”, tha ajo.

Shtoi se si rezultat i lëndimeve dhe traumës së shkaktuar në kokë ka pasur dëmtime të neuroneve në tru të cilat kanë shkaktuar vdekjen më 8 prill të vitit 2022 në orën 11:40.

Trajçevska theksoi se në listën e provave me të cilat disponon Prokuroria, ndërsa në mesin e të cilave për bastisje në shtëpi dhe hapësira të tjera, vërtetime për mjete të marra përkohësisht, me të cilat, siç tha, është marrë veshmbathja e të dëmtuarit dhe një pjesë e rrobave të të akuzuarit Anxhello Gjorgievski.

“Ka dy CD nga kamerat e sigurisë nga të cilat shihet qartë e gjithë ngjarja e ndodhur në mbrëmjen kritike dhe mbi të gjitha individualisht veprimet e secilit prej të pandehurve që kanë marrë atë ditë”, tha ajo.

Ajo shtoi se Prokuroria ka edhe ekspertizë për veshjen, konstatimet dhe mendimet e ekspertëve lidhur me llogaritshmërinë e të gjithë të akuzuarve, si dhe dokumentacionin mjekësor nga i cili del lloji dhe natyra e lëndimeve që viktima ka pësuar natën kritike.

“Po ashtu, është përgatitur raport me shkrim për obduksionin e kryer më 09.04.2022 nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, i bashkëngjitur është CD e obduksionit të kryer, si dhe raport me shkrim nga ekspertiza e kryer më 20 qershor 2022 nga Instituti dhe prej nga rrjedh shkaku i vdekjes së të dëmtuarit, si dhe lidhja shkak-pasojë ndërmjet vdekjes së të dëmtuarit dhe veprimeve të ndërmarra nga të pandehurit në ditën kritike”, shpjegoi ajo.

Nga ana e Prokurorisë, shtoi, ishin marrë në pyetje përfaqësuesi ligjor i të dëmtuarit Denis Tot, babai i tij, Igor Tot, si dhe dëshmitarët të cilët ishin të pranishëm në ngjarje.

“Me provat e tilla vlerësoj se do të dëshmojmë se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale në mënyrë dhe kohë si është përshkruar në aktakuzën”, tha Trajçevska.

Në seancën e sotme tre të akuzuarit deklaruan se e kuptojnë aktakuzën për të cilën akuzohen dhe deklaruan se nuk ndjehen fajtorë në lidhje me të njëjtën.

Fjalët hyrëse të mbrojtjes u shtynë për seancën e ardhshme gjyqësore për shkak të kërkesës së njërit prej të akuzuarve.

Prokuroria Themelore Publike në Shkup i ndjek të akuzuarit Anxhello Gjorgievski, Klementina Levkovska dhe Andrej Kostovski për veprën penale “vrasje” nga neni 123 paragrafi 1 në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, të pandehurit akuzohen se më 7 prill, para një klubi të natës në Parkun e Qytetit në Shkup, bashkë e kanë privuar nga jeta të dëmtuarin Denis Tot.

“Pas një zënke të shkurtër, që të tre i kanë shkaktuar më shumë goditje dhe lëndime të rënda trupore prej të cilave te i dëmtuari është shkaktuar gjendje kome, ndërsa të nesërmen ka ndërruar jetë”, thuhet në kumtesën e Prokurorisë të publikuar më 21 korrik të këtij viti.

Procesin e udhëheq gjykatësja Elena Ilievska Josifoviq, ndërsa seanca e ardhshme gjyqësore është caktuar për më 14 shtator.