Vazhdon aksioni “Brezovica” në Shtërpcë

Autoritetet e rendit në Kosovë kanë vazhduar edhe të mërkurën një aksion në Komunën e Shtërpcës, ku disa persona dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit dhe dhënie të ryshfetit.

Aksionet e koduara si “Brezovica”, kanë nisur qysh në fund të vitit të kaluar.

Në shënjestër të tyre janë personat e dyshuar për lëshimin e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri” në zonën e Brezovicës.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar të mërkurën, më 16 mars, se Drejtoria për Krime të Rënda e Policisë së Kosovës, “ka kryer bastisje në objektin e Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë, për shkak të dyshimit të veprave penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, marrje dhe dhënie të ryshfetit”.

Në fillim të këtij muaji, në kuadër të këtyre aksioneve janë arrestuar shtatë persona të dashur për keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit dhe ushtrim të ndikimit.

Aksioni ishte zhvilluar në 12 lokacione të ndryshme në katër komuna të Kosovës, përkatësisht në Ferizaj, Prishtinë, Skënderaj dhe Lipjan, por nuk ka dhënë detaje se cilës komunë i përkasin personat e arrestuar.

Policia e Kosovës edhe në muajin dhjetor të vitit 2021 dhe në muajin janar të këtij viti ka arrestuar persona të përfshirë në rastin e quajtur “Brezovica”.

Në fund të dhjetorit, janë arrestuar dhjetë persona, përfshirë ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, njëherësh zyrtarin e Listës Serbe, Bratisllav Nikolliq, nën akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare.