Varhelyi: Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave

Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, ka thënë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave.

Përsëritet se Komisioni Evropian mbetet në qëndrimin se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave Në raport theksohet se ka një ndjenjë që Këshilli i BE-së të merret me urgjencë me këtë çështje.

“Kosova ka gëzuar stabilitet politik gjatë gjithë vitit dhe autoritetet vazhdojnë të demonstrojnë përkushtimin e tyre në rrugën drejt BE-së. Ne e pranojmë se Kosova gjithashtu ka bërë përpjekje për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe ka intensifikuar luftën e saj kundër korrupsionit. Është bërë punë për të hedhur themelet për një progres të qëndrueshëm në disa fusha, duke përfshirë tranzicionin e gjelbër, energjinë dhe inovacionin. Gjatë vitit të ardhshëm ne do të dëshironim të shohim një realizim më të shpejtë dhe më efektiv të agjendës së reformës së BE-së të Kosovës”.

“Sa i përket liberalizimit të vizave, komisioni qëndron prapa vlerësimit të korrikut të vitit 2018, se Kosova i ka përmbushur të gjitha standardet”.

“Propozimi është ende në pritje në këshill dhe ne mbështesim diskutimet e ripërtërira me një përditësim teknik të këtij vlerësimi”, tha Varhelyi.

Varhelyi sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, raporti kujton se ka pasur takime të rregullta në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve, ndërsa përmend edhe takimin më 18 gusht midis liderëve të të dyja shteteve.

“Sa i përket dialogut Beograd-Prishtinë, ne kemi nevojë që Kosova të angazhohet në mënyrë konstruktive, ashtu siç ne kemi nevojë që Beogradi të bëjë të njëjtën gjë”, ka thënë Varhelyi.

14:20 – KE rekomandon statusin e vendit kandidat për Bosnjën

Komisioni Evropian rekomandoi të mërkurën që Bosnje dhe Hercegovinës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Komisioni Evropian publikoi Pakon e Zgjerimit për vendet kandidate dhe aspiruese për anëtarësim në BE. Prezantimin e paketës së zgjerimit 2022 e bëri Komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Ai rikujtoi se pas fillimit të luftës mes Rusisë ndaj Ukrainës, kjo e fundit së bashku me Gjeorgjinë e Moldavinë, kanë aplikuar për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Sipas tij, Ukrainës dhe Moldavisë u është dhënë ky status, ashtu si edhe Gjeorgjisë që do t’i jepet së shpejti.

Ai gjithashtu deklaroi se kanë filluar edhe bisedimet për anëtarësim të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.

“Ballkani Perëndimor është pjesë e BE-së dhe gjashtë vendet e këtij rajoni, duhet të bëhen pjesë e BE-së, sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Varhelyi.

Varhelyi deklaroi se Paketa e Zgjerimit të BE-së përfshinë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, plus Turqinë.

“E nga viti i ardhëm, do të përfshijë edhe Ukrainën, Gjeorgjinë e Moldavinë”.

“Raportet tona ofrojnë udhërrëfyes të qartë dhe janë realë dhe tregojnë se si të ecet përpara”.

Ai tha se kriza energjetike është sfidë për Ballkanin Perëndimor dhe BE-në. Pasi paraqiti në pika të shkurtra investimet e BE-së në forma të ndryshme në rajon, përmes grandeve në infrastrukturë dhe ekonomi, Varhelyi paraqiti situatën për secilin vend.