Ushtria e Kosovës dhe Shqipërisë zhvillojnë kurs të përbashkët për nënoficerë

Nënoficerët e Ushtrisë së Kosovës, po marrin pjesë në kursin e 52-të të avancuar për Nënoficerë në Shqipëri, krah nënoficerëve nga Shqipëria.

Këtë e ka bërë të ditur Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili tha se nënoficerët e Kosovës dhe Shqipërisë po studiojnë së bashku në këtë kurs, krah për krah si një trup i vetëm.

“Krah për krah si një trup i vetëm studiojnë nënoficerët e forcave tona me vëllezërit e motrat e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë

Në Qendrën e Arsimimit Profesional të Nënoficerëve të Akademisë së Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë u hap kursi i 52-të i Avancuar i Nënoficerit, i përbërë nga 55 kursantë, ku 6 prej tyre janë nënoficerë të FSK-së.”, shkroi Mehaj në Facebook, përcjell arbresh.info.

Tutje, ai falënderoi Ministrinë dhe Forcat e Mbrojtjes së Shqipërisë, për mbështetjen që ofrojnë në profesionalizimin e FSK-së.