U shtrua asfalt 2.07cm më hollë, përfaqësuesi i kompanisë thotë në Gjykatë se pas një kohe trashësia ndryshohet sepse gërryhet

Dëshmitari Astrit Sherif përfaqësues i kompanisë së betonit “IMN”, ka deklaruar që mostrat që merren pas një kohe të caktuar mund të kenë ndryshim të trashësisë së asfaltit për arsye se në Kosovë asfalti shtrohet me gurë gëlqeror i cili gërryhet.

Ndërsa, eksperti i ndërtimtarisë Naim Hasani tha se gërryerja e rrugës, mund të ndodhë, mirëpo nuk mund të ndodhë në gjithë gjatësinë e rrugës.

Këto deklarime dëshmitari Sherifi dhe eksperti Hasani e bënë të enjten në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Në këtë rast, ish-shefi i Prokurimit në Gjilan, Salih Kqiku, ish-drejtori i Urbanizmit Valon Shefiku, udhëheqësi i zyrës së Prokurimit Izet Kurteshi dhe ish-zyrtarja e shërbimeve publike Ganimete Kastrati, ngarkohen për “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Fatlum Pireva, Suad Pireva, dhe Muhadin Zuka, ngarkohen me veprën penale “mashtrimi”, duke i shkaktuar komunës së Gjilanit dëm mbi 40 mijë euro.

Dëshmitari Astrit Sherif përfaqësues i kompanisë së betonit “IMM”,  ka deklaruar që mbetet pranë deklaratave të dhëna në polici dhe në prokurori.

“Ne kemi qenë kontraktues në rastin konkret për vlerësimin e cilësisë së asfaltit në rrugën “Vali Ran”, ndërsa sa  i përket rrugës “Zabeli i Sahit Agës” nuk më kujtohet, ndërsa, nuk ka qenë kompetencë e jona për vlerësimin e sasisë”, ka thënë dëshmitari Sherifi.

I njëjti e ka vazhduar deklaratën duke thënë se në vitin 2015 kanë bërë marrjen e mostrave për analiza, lidhur me cilësinë ka shtuar se kanë bërë vetëm raportin, ndërsa vlerësimin e cilësisë potencoi se e bënë organi mbikëqyrës i projektit.

“Ne nga organi mbikëqyrës nuk kemi marrë asnjë njoftim lidhur me vlerësimin e cilësisë, derisa ri-testim nuk është kërkuar nga ana e organit mbikëqyrës”, ka shtuar dëshmitari Sherifi.

I njëjti e ka vazhduar deklaratën duke thënë se sa i përket sasisë nuk kanë kompetencë, ndërsa sa i përket cilësisë së asfaltit lidhur me raportin mund të ushtrohet ndonjë kundërshtim në mënyrë që të merren mostra të tjera, e që ato merren me urdhër të mbikëqyrësit.

“Raportin ja kam dërguar kompanisë që e ka ekzekutuar punën në prezencë të mbikëqyrësit dhe ne si kompani e licencuar për vlerësimin e cilësisë raport kontaktues kemi me punë kryerësin”, ka thënë dëshmitari Sherifi.

Dëshmitari Sherifi tha se në rastin konkret jenë ftuar nga kompania në prezencë të mbikëqyrësit si dhe ekziston raporti se me urdhër të mbikëqyrësit janë marrë mostrat.

I njëjti ka shtuar se shpenzimet për vlerësimin e cilësisë së asfaltit i heq punë kryerësi ai që na ka ftuar”.