U shkarkua nga posti i drejtorit të Radio Kosovës, Luma thotë se ndërlidhet edhe me deklarimin e tij lidhur me Listën ‘Guxo’ të Osmanit
Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), të hënën pasdite ka shkarkuar drejtorin e Radio Kosovës, Ernest Lumën.
Sipas njoftimit të bordit, shkarkimi i Lumës ka ardhur pas propozimit të Shkumbin Ahmetxhekaj, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm në RTK.
“Çdo i punësuar në RTK duhet ta ketë të qartë natyrën e funksionimit të transmetuesit publik, duke u kujdesur që të mos mbajë qëndrime politike, pasi kjo mund të dëmtojë imazhin e RTK-së si transmetues i pavarur publik.”, thuhet ndër të tjera në arsyetimin e U.D Drejtorit të Përgjithshëm për shkarkim që e ka aprovuar Bordi i RTK-së.
Sipas komunikatës së Bordit të RTK-së, propozim vendimi për shkarkimin e Lumës nga pozita e drejtorit të Radio Kosovës bazohet në nenin 33 paragrafi 1.2, nenin 31 paragrafi 2 nënparagrafi 2.2 dhe nëparagrafi 2.3, si dhe nenin18, paragrafi 8 të Ligjit 04/L-046 për Radiotelevizionin e Kosovës (G.Z. nr. 7, 27 prill 2012), nenin 8 paragrafi 2, nenin 19 paragrafi 9, nenin 20 paragrafi 12 dhe 14, nenin 22 paragrafi 1 dhe 2 të Statutit të Radiotelevizionit të Kosovës (nr. 0001/22 të datës 16.01.2022), nenin 7 paragrafi 1.1, 1.4 të Rregullores për Përgjegjësitë Materiale dhe Disiplinore të RTK-së (nr.0736/18 të datës 05.06.2018).
Bëhet e ditur se në këtë takim Bordi i RTK-së, gjithashtu ka miratuar propozimin e u.d. Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së për shpalljen e konkurseve për rekrutimin e stafit esencial në RTK 1 dhe RTK 2.
“Në RTK 2 – kanali në gjuhën serbe, janë miratuar 30 pozita për staf esencial për funksionimit e këtij kanali., ndërsa në RTK 1 janë miratuar nëntë (9) pozita, gjashtë (6) prej tyre për staf esencial për komunitetet ashkali, egjiptian dhe goran. Ky vendim vije në vazhdën e vendimeve dhe kërkesave të Bordit të RTK-së për vënien e ligjshmërisë në RTK, veçanërisht sa i përket rekrutimit të stafit”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Pas shkarkimit, ka reaguar vetë Luma.
Në llogarinë e tij në Facebook, ai ka publikuar një shkrim me titull “Lista Vjosa do të ishte një LDD e ditëve të sotme po të mos bashkohej me VV-në”, dhe ka thënë se është njëra ndër arsyet e shkarkimit të tij.
Po ashtu ka theksuar se gjatë ditëve të ardhshme do të tregojë më me detaje lidhur me çështjen e shkarkimit.
“Kjo është arsyeja e shkarkimit tim. Mosarsyet i tregoj në ditët në vijim. Në Korenë e Kim Jong Un-it, për këte arsye të kishin ekzekutu me top. Këtu, me shkarkim. Kam pshtu lehtë! Përndryshe, jam mësu m’u çu e m’u rrëzu që 100 vjet, me e pa arsye. Pa merak. Shihemi prapë”, shkroi Luma.