U kap me 1 mln euro kokainë/ Si u arrestua ish-kryebashkiaku i Ramës

Ish-kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku është arrestuar nga policia italiane, pasi është kapur me 20 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë. Mediat italiane bëjnë të ditur se Kajmaku është arrestuar më datën 27 maj në një operacion anti drogë të zhvilluar në zonën e ‘San Benedeto del Tronto’ në Itali.

Ish-kryebashkiaku i Vorës mësohet se e kishte fshehur drogën në vazo me lule. Informacionet e para flasin për një vlerë prej 1 milion euro të drogës së sekuestruar.

Për rreth 60 ditë Kajmaku, dhe grupi të cilit i shërbente, ishte nën vëzhgim të rreptë 24 orë nga policia italiane. Për të ndjekur hap pas hapi çdo lëvizje, policia italiane ka montuar kamera në disa akse, banesa dhe lagje ku kryheshin bisedat dhe takimet që kishin tematikë aktivitetin e paligjshëm të lëndëve narkotike në shtetin fqinj dhe Europë.

Pas kapjes së tij, autoritetet italiane kanë kërkuar informacione te autoritetet shqiptare në lidhje me këtë shtetas, i cili ka qenë ndër personat më të rinj që i është bashkuar grupit. Për më shumë se 8 muaj policia italiane kishte rënë në gjurmët e tij, ndërsa nisi ta mbante në vëzhgim derisa u arrestua me 20 kilogramë kokainë.

Kur u arrestua nga policia italiane me 20 kg kokainë në zonën e ‘San Benedetto del Tronto’, Agim Kajmaku ishte së bashku me nipin e tij. Kokaina ishte fshehur brenda vazove të bimëve që kishte blerë Kajmaku, klient prej kohësh në një fidanishte.

Kajmaku dhe nipi i tij kishin blerë bimët e vogla në fidanishte, por më pas i vendosën në vazo më të mëdha që i blenë në një biznes lokal, në mënyrë që të fshihnin drogën brenda. Para se të bëhej ndryshimi, pronari i fidanishtes lajmëroi policinë italiane, të cilët më pas arrestuan Kajmakun dhe nipin e tij.

Agim Kajmaku, ish-kryebashkiaku i Vorës, ka zgjidhur problemet me drejtësinë shqiptare, por tashmë sapo i ka hapur ato me drejtësinë italiane. Ai u zgjodh kryebashkiak në zgjedhjet lokale të vitit 2019, ku opozita nuk mori pjesë, por nuk e gëzoi për shumë kohë atë mandat. Partia Demokratike i zbuloi atij një dënim të padeklaruar në Greqi për falsifikim parash, të cilin duhet ta kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shkarkoi nga detyra dhe menjëherë policia e shpalli në kërkim. Në ditën që u shkarkua nga KQZ-ja ai firmosi shkarkimin nga detyra të dy nënkryetarëve të bashkisë, firmë e cila i rëndoi pozitën, pasi u akuzua edhe për përdorim të postit pas lirimit.

Pasi qëndroi 8 muaj në arrati, Agim Kajmaku u arrestua në një spital privat ku kishte shkuar për problem shëndetësore. Por një ditë pas arrestimit, në 8 korrik 2020 Gjykata e Apelit liron ish krye-bashkiakun e Vorës.

Apeli caktoi ‘detyrim paraqitje’ për Kajmakun pasi vetë prokuroria, konkretisht prokurorja Arta Marku kërkoi zbutjen e masës së sigurisë. Kajmaku vuan nga disa sëmundje dhe kjo me sa duket ka ndikuar në zbutjen e masës së sigurisë.