Tri sindikata paralajmërojnë veprime sindikale për draft Ligjin për Pagat

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Sindikata e Administratës Publike dhe ajo e Policisë janë shprehur të pakënaqur ndaj versionit të draft Ligjit për Pagat i cili u publikua ditë më parë.

Nga SBAShK kanë njoftuar se javën që vjen do të mblidhen dhe do të diskutojnë për situatën aktuale dhe për t’i koordinuar aktivitetet dhe veprimet sindikale.

“Përfaqësuesit e të tri këtyre Sindikatave janë shprehur se në pritje të takimeve me Ministritë gjegjëse kanë ngritur grupe punuese duke përgatitur propozime konkrete e të argumentuara , të cilat do t’i prezantojnë. Përfaqësuesit e këtyre tri sindikatave kanë shprehur pakënaqësi të shumta ndaj versionit të Projektligjit që është duke qarkulluar dhe janë pajtuar që në fillim të javës së ardhme BSPK-ja të organizojë tryezë tematike me pjesëmarrjen e të gjitha Sindikatave për të debatuar për situatën aktuale në të gjithë sektorët dhe për të koordinuar aktivitetet dhe veprimet sindikale”, thuhet në komunikatën për medie nga SBAShK-u.