TROIKA e OSBE-së, Osmani – Rau – Linde në Nju Jork: Rusia të ndalojë agresionin dhe të tërheqë trupat
Shkup, 23 shtator – Ministrat e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Polonisë dhe Suedisë, Bujar Osmani, Zbignjev Rau dhe Ane Linde, në margjinat e seancës së 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, zhvilluan takim si pjesë e TROIKës që kryeson me OSBE-në. Në takim mori pjesë edhe sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së, Helga Shmid.
Siç kumtoi MPJ-ja, bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi rolin e OSBE-së nën lupën e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe përsëritën thirrjen e tyre drejtuar Federatës Ruse që ta ndalë agresionin, t’i tërheqë forcat e saj nga Ukraina dhe t’i respektojë parimet e OSBE-së. Ndodhitë midis Armenisë dhe Azerbajxhanit ishin gjithashtu në fokus të takimit. Ministrat dhe Sekretari i Përgjithshëm i TROIKës diskutuan për mundësitë për një përfshirje më të madhe të OSBE-së në këtë sferë.
Bashkëbiseduesit, siç theksohet, iu referuan edhe përleshjeve të fundit të armatosura në kufirin mes Kirgistanit dhe Taxhikistanit, duke kërkuar nga palët që ta respektojnë armëpushimin dhe ta stabilizojnë situatën me zgjidhje diplomatike.
Duke e pasur parasysh efikasitetin e Organizatës, në takim u theksua edhe nevoja për miratimin e buxhetit të OSBE-së. Njëherit, në takim u mirëpritën prioritetet e kryesimit të ardhshëm të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në, të fokusuara në mbrojtjen e parimeve dhe angazhimeve të OSBE-së.
Ministri Osmani e rikonfirmoi mbështetjen ndaj kryesuesit aktual dhe Sekretarеs së Përgjithshme të OSBE-së në përballjen me sfidat aktuale dhe e theksoi rëndësinë e shfrytëzimit të përvojës dhe resurseve të OSBE-së si mjet në procesin e kërkimit të zgjidhjeve të qëndrueshme../Zhurnal.mk

