Trençevska: Do të fillojë harmonizimi i pagave me SASHK-un dhe sindikatat tjera

Shkup, 16 mars – Së bashku me përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) dhe sindikatat tjera do të ulemi në tryezë dhe do ta hapim procesin e negociatave kolektive dhe harmonizimit të pagave tjera, tha mbrëmë ministrja e punës dhe politikës sociale Jovanka Trençevska.
Siç kumtoi Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, Trençevska theksoi se Qeveria tashmë ka deklaruar se është absolutisht e gatshme të hapë çështjen e miratimit të një marrëveshjeje të re të përgjithshme kolektive për sektorin publik, e cila do të rregullojë të drejtën e rekursit për K- 15 dhe të drejtën për të harmonizuar pagat me pagën minimale.
“Nuk ka zgjidhje për këto tema në vetëm një ditë. Ato negociata janë në vazhdim dhe ne jemi gati t’i fillojmë. Prandaj duhet durim nga ana e Sindikatës, sepse ne si Qeveri kemi treguar përkushtim në zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me avancimin e të drejtave të punëtorëve dhe të drejtave të marrëdhënies së punës”, tha Trençevska në një intervistë për TV Sitel.
Nga Ministria resore rikujtojnë se me marrëveshjen e arritur së fundi ndërmjet Qeverisë, sindikatës dhe punëdhënësve, paga minimale është rritur për rreth 3.000 denarë. Që nga viti 2017 ka pasur rritje të vazhdueshme të pagës minimale. Në vitin 2017/2018 është rritur në 12.000 denarë, në vitin 2019 në 12.507 denarë, në vitin 2020 në 14.500 denarë dhe në vitin 2021 në 15.194 denarë. Tani, me Ligjin e ri për pagën minimale, ajo arrin në 18.000 denarë, për dallim nga viti 2016, kur paga minimale ishte 10.080 denarë.