Trençevska: Bashkërisht krijojmë dhe zbatojmë politika të cilat do ta avancojnë cilësinë e jetesës të të gjithë personave me aftësi të kufizuara

Shkup, 29 prill– Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska sot ka takuar përfaqësues të Organizatave kombëtare për aftësi të kufizuara. Në takim siç kumtoi MPPS u bisedua për kërkesat e parashtruara nga organizatat e personave me aftësi të kufizuara përmes Këshillit nacional të organizatave për personat me aftësi të kufizuara në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale.

“Në të kaluarën jemi vazhdimisht në takime me organizata të shoqërisë civile dhe prindër të fëmijëve me aftësi të kufizuara për të dëgjuar nevojat e tyre dhe bashkërisht të krijojmë politika dhe masa në interes të fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara. Në bazë të këtyre bisedimeve po vendosim pako masash, ndryshimesh dhe plotësimesh në ligje me qëllim përmirësimin e jetës së fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara. Angazhimi ynë është që sfidat t’i zgjidhim një nga një me zgjidhje të qëndrueshme sistematike”, tha Trençevska.

Ministrja theksoi se kërkesat e shoqatave do të shqyrtohen bashkërisht me qëllim që të mundësohet akses më i lehtë në shërbimet në dispozicion dhe falas dhe promovimi i të drejtave. Do të vendoset edhe revizion i shërbimeve tashmë të dhëna në mënyrë që të përmirësohet cilësia e ofrimit të tyre dhe targetim më i mirë.

“Qëllimi nuk është vetëm rritja e nivelit të të drejtave, por edhe rritja e vëllimit dhe disponueshmërisë së shërbimeve cilësore në fushën e mbrojtjes sociale, arsimit dhe shëndetësisë, në mënyrë që fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuara në baza të barabarta të marrin arsim cilësor dhe të fitojnë aftësi që do t’u mundësojnë hyrje në tregun e punës dhe do të bëjnë qytetarë të pavarur aktivë të cilët do të kontribuojnë për veten dhe vendin”, shtoi Trençevska.