Todorov: Nëse Bullgaria dëshiron të jemi një vend mik, duhet ta ndryshojë retorikën
Shkup, 19 prill – Demokracia nuk jep të drejtën për të fyer të tjerët. Nëse Bullgaria dëshiron të jemi vend mik, duhet të ndryshojë retorikën e saj, thotë historiani Petar Todorov, anëtar i Komisionit të Përbashkët Historiko-Arsimor, duke komentuar ngjarjen në Manastir fundjavën e kaluar.
“Ka diçka për të thënë edhe ne si e trajtojmë Bullgarinë. Edhe pse kjo flet shumë për pikëpamjet e Bullgarisë, e cila po ndërton një shoqëri nacionaliste që ka ushqyer antikomunizmin që nga rënia e Murit të Berlinit. Mesazhi i shoqërisë bullgare është shumë i pakëndshëm jo vetëm për Maqedoninë, por për mbarë Evropën. Kjo është veçori edhe për vendet e tjera të rajonit, si për shembull Serbinë me Drazha Mihajloviq. Problemi është kjo politikë e Todor Zhivkovit që e ushqen Bullgarinë”, tha Todorov për “Brifingun e mëngjesit”.
Sipas tij, retorika dhe narrativat nacionaliste ndërtohen në kanale të ndryshme dhe përdoren në krizën e parë që do të paraqitet.
“Mendoj se Evropa disi reagon ngadalë ndaj veprimeve të tilla, ne duhet t’i përgjigjemi fuqishëm elementëve të ekstremit të djathtë që relativizojnë viktimat e Luftës së Dytë Botërore. Parlamenti Evropian bëri të njëjtën gjë kur barazoi fashizmin dhe komunizmin në mënyrë që disa figura antikomuniste të rehabilitohen”, tha Todorov.
Ai thotë se vendi ka treguar pjekuri për të mos pasur një reagim që do të çonte në ngjarje të pakëndshme.
“Incidente dhe provokime të tilla duhet të parandalohen. Shumica pajtohen se kjo është e gabuar dhe shpreh neveri. Diçka duhej bërë për të parandaluar këtë situatë. Pse lejuam formimin e një shoqate me një emër të tillë, sepse problemi nuk është vetëm ardhja e delegacionit por shoqata me një emër të tillë. Dhe nuk është hera e parë. Ne kishim një shoqatë me emrin “Radko” e cila është nofka e Mihajlovit, bdërsa Mara Buneva ka dhjetë vjet që festohet dhe ka përkujtimore në klubin bullgar në Shkup”, komentoi Todorov.
Si anëtar i Komisionit të përzier historiko-arsimor, Todorov thotë se që nga fillimi i Komisionit, politikanët janë ata që duhet të krijojnë kushte për zgjidhjen e problemeve dhe redaktimin e teksteve shkollore.
“Ne ndoshta do të bëjmë një hap përpara, do të bëjmë tre hapa prapa. Nuk është bukur të dëgjosh politikanë të merren me të kaluarën. Detyra e tyre është të krijojnë një shoqëri demokratike”, tha Todorov në “Brifingun e mëngjesit”.