TNT/ I akuzuari Toni Trajkovski jep deklarata mbrojtëse
Shkup, 30 mars – Ish-kryetari i Komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski, i akuzuar në rastin “TNT” për rrënimin e objektit Kosmos, në seancën e sotme theksoi se plani për ndërtimin e objektit ka qenë propozim i investitorit (Fiat Canoski), dhe financiarisht i mbuluar nga ai. Ai në mbrojtje të tij theksoi se vend parkingjet në Kosmos ishin problemi më i madh që në fillim.
“Me parkingjet bëhen shkelje dhe krim. Investitorët në fillim bëjnë si duhet, ndërsa realisht ndodh që parkingjet e nevojshme nuk janë, tha i akuzuari Trajkovski dhe shtoi se Gjykata Supreme ka konstatuar se e drejta e ndërtimit është hequr me faj të investitorit.
Sipas aktakuzës për “TNT” në periudhën nga 1 prilli 2011 deri në fund të vitit 2012 në Shkup, i pandehuri Nikolla Gruevski, në cilësinë e kryeministrit dhe i pandehuri Mile Janakievski, si ministër i atëhershëm i Transportit dhe Lidhjeve, së bashku me qëllim për t’u hakmarrë ndaj të dëmtuarit Fiat Canoski, për vendimin e tij politik, i cili si kryetar i partisë politike – PEI, u largua nga koalicioni me partinë politike – VMRO-DPMNE dhe bëri koalicion me partinë opozitare LSDM duke shfrytëzuar pushtetin e tyre real me qëllim nxitjen e të pandehurit Toni Trajkovski (ish-kryetar i Komunës së Gazi Babës) për të kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” në shfrytëzim të pozitës zyrtare dhe rrënim të kundërligjshëm të objektit banesor afarist Kosmos i cili është ndërtuar nga investitori i dëmtuar Canoski.

