“Tërmeti” i Tepelenës, 1.3 miliardë për rikonstruksionin e një shkolle
Tërmet Peçi ka bërë një “tërmet” të vërtetë në Tepelenë ditët e fundit. Jo se ka bërë ndonjë punë të shkëlqyer për banorët e Bashkisë Tepelenë e cila nuk ishte dukur askund më parë. Përkundrazi, tërmetin e ka bërë për veten e tij dhe për oligarkët të cilëve u ka dhënë plot 1.3 miliardë lekë të vjetra për të rikonstruktuar vetëm një shkollë.
Bëhet fjalë për një tender me objekt “Rikonstruksion i godinës dhe oborrit të shkollës 9-vjeçare “Avni Rustemi ” që mban numrin e referencës REF-76161-07-27-2023. Kjo procedurë ka si fond limit shifrën 108,776,265 lekë të reja pa TVSH ose rreth 1.3 miliardë lekë të vjetra me TVSH.
Por përse themi se tenderi është një “tërmet” i vërtetë? Fare e thjeshtë. Le të hapim “lakrat”. Duke studiuar dokumentacionin e kësaj procedure shikohet se kanë marrë pjesë 4 garues. Por për çudi njëri prej tyre ka ofruar zero lekë.
Që këtu lind dyshimi se tenderi është një farsë dhe se fituesi dihej që në fillim. Dihet se nuk ka asnjë arsye që në një garë dikush të marrë pjesë pa “luajtur” përveçse kur “loja” është të shpallet fitues ai që ka vendosur “shefi”.
Kështu Tërmet Peçi ka shpallur fitues bashkimin e kompanive “SHENDELLI” të Yzedin Bozhaj dhe NG STRUCTURES të Hekuran Hoxhës. Ata kanë ofruar 107,997,000 lekë të reja pa TVSH ose 1.3 miliardë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Kjo shifër është sa 99.3% e fondit limit duke hequr të gjitha dyshimet se tenderi është thjeshtë një farsë dhe se fituesi dihej që në fillim.