Të punësuarve në Higjienën Komunale u rriten pagat për 2000 denarë

Shkup, 21 prill – Në konferencën e sotme për media, drejtori i NP Higjiena Komunale-Shkup, Zuhdi Enuz, ka njoftuar opinionin për vendimin me të cilin punëtorëve të Ndërmarrjes pas 16 vitesh do t`u rriten pagat.

“Vendimin do të fillojmë ta zbatojmë menjëherë, me pagën e ardhshme të muajit prill dhe jam shumë i kënaqur që kjo rritje historike do të realizohet në mandatin tim të menaxhimit të Kompanisë, sepse mendoj se punëtorët e NP Higjiena Komunale-Shkup me të vërtetë e meritojnë që puna e tyre të vlerësohet dhe shpërblehet siç duhet. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për kryetaren e Këshillit Drejtues të Ndërmarrjes, znj. Julijana Spirovska, si dhe për të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues.”- tha drejtori i NP Higjiena Komunale-Shkup, Zuhdi Enuz.

Gjatë konferencës për media, drejtori Enuz iu referua edhe gjendjes aktuale në Ndërmaarje, të cilën e menaxhon prej 100 ditësh, duke theksuar se sipas Raportit Vjetor për vitin 2021, gjatë menaxhimit të ish-menaxhmentit është shënuar një humbje e madhe prej 43 milionë denarë, obligime të papaguara ndaj furnitozuesvw, vonesa në pagesa, valuta të skaduara etj.

“Në këtë moment – 100 ditë pasi kam ardhur në krye të Ndërmarrjes, sipas Raportit Tremujor të rezultateve financiare, tremujorin e parë të vitit 2022 e mbyllim me rezultat financiar pozitiv, ku janë paguar pjesa më e madhe e të kërkesave të arkëtueshme dhe çfarë posaçërisht do të doja të theksoja është se pagat e punëtorëve të Ndërmarrjes paguhen me kohë, në fillim të javës së parë të muajit”, tha Enuz.

Drejtori i Ndërmarrjes Publike Higjiena Komunale-Shkup ka potencuar edhe problemet e hasura në sektorin tekniko-operativ të Ndërmarrjes.

“Kemi hasur në automjete që kanë qenë jashtë funksionimit dhe jashtë përdorimit prej muajsh, pa u marrë asnjë masë për kthimin e tyre në përdorim. Gjegjësisht, deri më 31 dhjetor 2021, vetëm 64% e numrit të përgjithshëm të automjeteve kanë qenë në operim, ndërkohë që aktualisht pothuajse 80% e numrit të përgjithshëm të automjeteve përdoren në mënyrë aktive në terren çdo ditë, gjë që është jashtëzakonisht e rëndësishme duke pasur parasysh se Ndërmaarja operon. shtatë ditë në javë, në tri ndërrime.”- tha Enuz, i cili me këtë rast falënderoi kryetaren e qytetit të Shkupit, Danela Arsovska, për mbështetjen e vazhdueshme gjatë 100 ditëve të kaluara.