Të enjten hidhet në votim projektligji për TRUST-in, PDK kërkon votën e deputetëve

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet për një seancë të re ketë të enjte më 16 qershor.Në rend të ditës të kësaj seance do të jetë edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Fondet Pensionale të Kosovës që parasheh lejimin e tërheqjes së deri në 30 përqind të kursimeve pensionale nga ana e qytetarëve.Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri për tërheqjen e mjeteve nga TRUST-i është deklaruar sot pas mbledhje së Kryesisë së Kuvendit.

Tahiri tha se Partia Demokratike e Kosovës u bën thirrje partive të që të reflektojnë karshi kërkesave të qytetarëve.“Të enjten e kemi një pikë të rëndësishme, çështjen e TRUST-it. Në rrethana normale nuk do të duhej të diskutohej. Në asnjë ditë çmimi i naftës nuk është i njëjtë, kemi ngritje të çmimeve për mbi 50 për qind te produktet esenciale. Duke zbut sado pak krizën ju bëjmë thirrje të gjitha partive përfshirë edhe mazhorancës që të reflektojnë karshi kërkesave të qytetarëve”, tha Tahiri.Kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka kërkuar nga deputetët e shumicës që të reflektojnë lidhur me projektligjin për TRUST-in.“Në seancën e radhës kemi kërkuar që deputetët e shumicës të reflektojnë mbi miratimin e ligjit për TRUST-in. Kjo skemë pensionale është jashtëzakonisht e rëndësishme”, tha ai pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

Ndërsa, partia në pushtet vazhdon ta kundërshtojnë propozimin për tërheqjen e 30 përqindëshit nga TRUST-i.
Shefja e Grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha sot se kjo iniciativë nuk bën zgjidhje për kategoritë me nevojë në Kosovë.“Qëndrimi ynë është kundër, pra ka të bëjë me mos mbështetjen e një iniciative që është i dëmshëm për sistemin financiar të Kosovës dhe nuk bën zgjidhje për kategoritë me nevojë në Kosovë”, tha ajo.Projektligji për TRUST-in ka kaluar për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës, pa marrë miratimin e komisionit përkatës.

Me propozim të deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ky projektligj u është shpërndarë deputetëve të Kuvendit më 27 prill të këtij viti.Deputetë të opozitës po kërkojnë miratim të projektligjit që do u jepte qytetarëve mundësinë të tërheqin deri në 30 për qind të parave nga fondi pensional.Sa i përket subjektit politik më të madh në Kuvend, Lëvizjes Vetëvendosje, kjo parti ka thënë se nuk do ta mbështesë këtë propozim të PDK-së.Një veprim i tillë nuk është përkrahur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.Ditë më parë qytetarë të shumtë janë mbledhur para Qeverisë në shenjë proteste për lejim të tërheqjes së 30 për qind të mjeteve të TRUST-it.Me thirrjet “TRUST-i është i joni – jo i qeverisë”, “Kursimet janë për ditë të vështira”, “Unë të votova ty, ti votoje TRUST-in”, protestuesit kërkuan që Kuvendi të votojë pro tërheqjes së mjeteve.