Tahiri: Një furrë në Kosovë ka ndërmjetësuar që të blihen rezervat shtetërore të grurit në Turqi

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, deklaroi se ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka bërë skandal me çështjen e rezervave shtetërore.

Gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës, Tahiri tha se procedurat që janë klasifikuar si ‘sekret shtetëror’ për rezerva shtetërore, janë të kundërligjshme dhe paralajmëroi padi dhe ndjekje në gjykatë për këtë rast.

“Vendi ku ruhen rezervat shtetërore është plotësisht normale të jetë sekret shtetëror, mirëpo sa është blerë e ku është blerë, procedura, kompanitë ku janë  – këto nuk mund të jenë sekrete shtetërore, kjo s’ka ndodhur asnjëherë”.

“Kjo (ministrja Hajdari) ka bërë një vepër penale goxha të rëndë me të cilën ka për t’u ballafaquar”, deklaroi Tahiri.

Ai po ashtu shtoi se rezervat shtetërore që qeveria i ka blerë në Turqi, i kanë blerë nga një kompani e ndërtimit dhe se ndërmjetësuesi ka qenë një furrë në Kosovë.

“Pra, një furrë në Kosovë ka ndërmjetësuar që të blihen rezervat shtetërore të grurit në Turqi, dhe në fund ka dështuar dhe i ka kërkuar ambasadës turke ndihmë”.

“Kjo ministre që e drejton një prej dikastereve më të rëndësishme të vendit tonë, është duke u ballafaquar me një mori keqpërdorimesh në kuadër të asaj ministrie që i prin vetë, dhe padyshim që për të gjitha do të ndiqet penalisht”, përfundoi Tahiri i PDK-së.