Tahiri: Gazsjellësi amerikan i domosdoshëm për Kosovën

Shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e AAK-së, Besnik Tahiri, thotë se tani është me se i nevojshëm gazsjellësi amerikan, teksa fajëson Qeverinë e Kosovës që po e refuzon këtë projekt.

Ai i ka bërë thirrje Qeverisë që të marrë vendime të guximshme për shtetin dhe gjeneratat e ardhshme, njofton Klankosova.tv.

“Gazsjellësi Amerikan i domosdoshëm për Kosovën! Tashmë kur gazsjellësi Trans-Atlantik (TAP), ka nisur transportimet e para të gazit, shtetet që janë pjesë e saj, jo vetëm se po sigurojnë burime energjie, por para së gjithash, po rrisin sigurinë nacionale”.

“Kosova, përkundër përpjekjeve paraprake, me hezitimin dhe paqartësinë nuk guxon të mbete e izoluar në aspektin e energjisë por edhe sigurisë. Tashmë, projekti i ri i gazsjellësit Amerikan, duhet të qartësohet me urgjencë, që ta zëmë hapin e fundit për t’i dhënë vendit siguri energjetike dhe jo vetëm, por edhe të marrim vendime të guximshme për shtetin dhe gjeneratat”, ka shkruar Tahiri.