Sulmi në uzinën e armëve, reagon Presidenti Begaj: Të parandalohet çdo situatë që cënon sigurinë kombëtare

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka reaguar pas incidentit të ndodhur mbrëmjen e djeshme në uzinën e armëve në Gramsh, ku u lënduan dy ushtarë shqiptarë nga 2 rusë dhe një ukrainas.

Begaj thotë se po e ndjek me vëmendje rastin dhe është në komunikim me strukturat e sigurisë dhe FA të cilët i inkurajon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe parandalimin e situatave që cënojnë sigurinë kombëtare.

Presidenti i shpreh mirënjohjen edhe dy ushtarëve shqiptarë, Albi Bici dhe Ardian Xhaka.

“Ngjarjen në uzinën e Gramshit po e ndjek me shumë vëmendje. Jam në komunikim të vazhdueshëm me strukturat e sigurisë, Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, strukturat e shërbimeve informative dhe ato ligjzbatuese, të cilat i inkurajoj dhe mbështes për të vazhduar punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe parandalimin e çdo situate që cënon sigurinë kombëtare .
Mirënjohje për dy efektivët e Forcave të Armatosura, të cilëve u uroj shërim të shpejtë!”– shkruan Presidenti Begaj.