Sulmi ndaj shqiptarëve në Mal të Zi, arrestohen 5 nga 8 agresorët

Ministri i Administratës në Malin e Zi, Marash Dukaj njoftoi se janë arrestuar 5 nga 8 agresorët e sulmit barbar ndaj tre qytetarëve shqiptarë, ngjarje kjo e ndodhur dy ditë më parë.

“Janë arrestuar 5 nga 8 dhe shpresoj që të arrestohen sot gjatë ditës. Janë identifikuar. Para se të lidhesha me ju, komunikova me ministrin e Punëve të Brendshme, i cili është angazhuar maksimalisht që agresorët e këtij sulmi barbar të dalin sa më parë para drejtësisë. Kjo ndodhi edhe prokuroria e cilësoi vepër penale rastin në fjalë”.

Dukaj ka thënë se sulmuesit ishin përdorues të alkoolit dhe drogës dhe nuk kishin të bënin asgjë me institucionet e sigurisë së Malit të Zi.

“Mediat si në Shqipëri, por më shumë në Mal të Zi dhe ato që janë opozitare, kishin një ide që e hodhën në publik se kjo ndodhi nga persona që vinin nga policia dhe ushtria; e më vonë se ata vinin nga një shtet fqinj ku aludohej Republika Srbska; dhe më vonë doli ashtu siç dhe ne kishim informacionet e sakta, që personat në fjalë janë shtetas të Malit të Zi të qytetit të Hercegnovit, shumica e tyre adoleshentë dhe minorenë. U faktua që personat ishin konsumues të alkoolit dhe të drogës gjatë intervistimit të tyre në polici. Dhe natyrisht u kërkua që të analizohej gjendja e tyre dhe të ketë një raport. Dhe kjo doli për faktin se në Mal të Zi ëhstë pragfestash dhe Krishtlindjet Orthodokse dhe incidenti në fjalë me plot bindje e dëshmoi ministri Sharanoviç dhe i cili hodhi poshtë të gjitha aludimet që pretendonin që rastin ta bënin me prapavijë nacionaliste, apo ku di unë çfarë tjetër. Personat në fjalë e kam të konfirmuar edhe nga ministri Sharanoviç nuk ishin të veshur me uniforma ushtarake. Pasi zona ku ka ndodhur incidenti është një zonë shumë e populluar dhe me një komunikacion të rënduar dhe e mbuluar me mjetet dhe kamerat e sigurisë. Dhe rasti ka nisur si një aksident i vogël në komunikim, duke dalë nga trageti dhe aty nën efektin e alkoolit dhe drogës, ata i kanë pritur në dalje, ku pavarësisht se kush mund të ketë ngacmuar kë, dhuna barbare nuk e justifikon rastin dhe këtë sjellje barbare të agresorëve. Dhe shpresoj që të mos përsëritet më. Ne si shqiptarë në politikë e kemi dënuar dhe jemi angazhuar maksimalisht që ngjarja të zbardhet dhe autorët të dalin sa më parë para drejtësisë. Dhe për këtë rast është investuar edhe vetë kryeministri Spariç”, deklaroi tutje ministri i Administratës.

Në ditën që ndodhi sulmi, Dukaj ka thënë se ishte me disa miq nga Tirana dhe për rastin ishte njoftuar nga ministri i Brendshëm, Balla, ndërsa kërkoi nga të gjithë që të mos bien pre e akuzave të rreme.

Megjithatë, ai ka pranuar se në zonat ku jetojnë serbët, gjuha e urrejtjes është më e madhe, por se për cilindo që ka bërë shkelje janë marrë masa të shpra, duke përmendur këtu edhe rastin e para disa muajve në Bozhda.

“Kapja e autorëve dhe dënimi i tyre është mesazhi më i qartë për këdo. Unë nuk do të përgjithësoja, edhe duke e ditur që Mali i Zi është një shtet multi-etnik dhe natyrisht gjuha e urrejtjes mund të jetë disi në nivel më të lartë në zonat ku kryesisht janë serbët në këtë shtet. Pasi turistët shqiptarë që vijnë nga Kosova dhe Shqipëria janë ndër turistët kryesorë në vendin tonë jo vetën në verë, por edhe në sezonin turistik dimëror. Kjo pasi në Kolashin këto ditë flitet shqip, ndaj shpresoj dhe uroj që mesazhet përbashkuese dhe të unitetit janë ato të duhurat”, ka deklaruar për fund Dukaj.