Spahia: PD, kërkesë për mocion me debat për situatën në shërbimin Onkologjik

Kryetari i Komisionit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Bardh Spahia, në një deklaratë për mediet ngriti sot shqetësimin për gjendjen e shëndetësisë.
Spahia bëri të ditur se Partia Demokratike do të depozitojë në Kuvend një kërkesë për mocion me debat me Ministren e Shëndetësisë për situatën në shërbimin Onkologjik.
Duke iu referuar raportit të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit për barnat tumorale, Spahia tha se ky raport shpalos situatën dramatike ku ndodhet sot shëndetësia në Shqipëri; në veçanti shërbimi Onkologjik në QSUNT.
Sipas Spahisë një shqiptar i diagnostikuar me sëmundje tumorale duhet të përballet jo vetëm me neglizhencë të institucioneve për terapinë, por mbi të gjitha me pasigurinë për barna.
“46% ose 116 barna tumoriale të autorizuara dhe jetike për jetën e qytetarëve nuk janë importuar asnjëherë në periudhën e auditimit 2021–2025”, tha Spahia.
Spahia shtoi se fondi për 4 koncesione korruptive është sa dyfishi i të gjithë shpenzimeve për investime që ministria disburson në vit.
Deputeti shtoi se abuzimet dhe keqmenaxhimi në shërbimin onkologjik vijon me sigurinë e barnave, pasi janë qindra e mijëra barna të skaduara, procedura mbetjeje jashtë çdo lloji norme, me procedura prokurimi të dyshimta.
Në cilësinë e kryetarit të Komisionit të Shëndetësisë, Spahia tha se “do të ndërmarrim çdo nismë për të vënë para përgjegjësisë institucionet dhe titullarët e tyre që e kanë përkeqësuar ndër vite këtë shërbim, si dhe do të kërkojmë që e drejta e jetës dhe për shëndet të garantohet për çdo qytetar”.