Skllavëria moderne më e ekspozuar te fëmijët dhe gratë, shënohet rritje e viktimave
Sipas statistikave të fundit nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, më shumë se 40 milionë njerëz janë në skllavëri moderne, nga të cilët 25 milionë janë të detyruar të punojnë në zinxhirët e furnizimit global. Zyra e KB-së për Drogën dhe Krimin vlerëson se shtatë nga dhjetë viktimat që do të zbulohen globalisht janë gra ose fëmijë. Nga viti i kaluar, numri i viktimave në Maqedoninë e Veriut është rritur në mënyrë dramatike – 48, prej të cilave 39 janë identifikuar si viktima të shfrytëzimit për punë, kështu që shfrytëzimi për punë ka filluar të zë vendin e parë sa i përket viktimave të identifikuara të trafikimit me qenie njerëzore.
Kjo ishte theksuar në konferencën e sotme me temë “Vlerësimi i rrezikut dhe parandalimi i trafikimit me qenie njerëzore në zinxhirët e furnizimit”, ku morën pjesë ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jovana Trençevska, përfaqësuesja speciale dhe koordinatore për luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore të OSBE-së, Valijant Riçi, shef i misionit të OSBE-së, Klemens Koja dhe koordinatorja kombëtar për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe migrimit të paligjshëm Magdalena Nestorovska.
“Puna e detyruar mbizotëron në prodhimin e mallrave dhe ofrimin e shërbimeve në kompani të ndryshme. Reagimi ndërkombëtar ndaj trafikimit të qenieve njerëzore është intensifikuar gjatë 20 viteve të fundit, por këto aktivitete janë të fokusuara vetëm në gjetjen e autorëve. Problemet sistemike që janë burimi i trafikimit të qenieve njerëzore nuk mbulohen në mënyrë të barabartë nga strategjitë kombëtare. “Ne e dimë se një nga mënyrat më efektive për të parandaluar këtë është zvogëlimi i kërkesës për mallra dhe shërbime që vijnë nga puna e detyruar,” tha Riçi.
Ministrja Trençevska në fjalimin e saj theksoi se për të trajtuar trafikimin me qenie njerëzore, një nga prioritetet strategjike të Qeverisë dhe të Ministrisë është zhvillimi dhe përmirësimi i politikave kombëtare për luftë kundër krimit të organizuar dhe tregtisë me njerëz.
Ajo sqaroi se në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe sektorin civil janë vendosur pesë ekipe mobile në Shkup, Manastir, Tetovë, Kumanovë dhe Gjevgjeliu, për identifikimin e kategorive të rrezikuara të qytetarëve.
Shefi i misionit të OSBE-së, Koja potencoi se tregtia me njerëz paraqet shkeljen e të drejtave bazë të njeriut dhe kërcënim për shoqërinë, ndërsa krijon edhe trauma për dinjitetin e viktimave.
Ai shtoi edhe se pandemia e koronavirusit ka krijuar rreziqe të reja dhe sfida për viktimat e tregtisë me njerëz.
Koordinatorja nacionale për luftimin e trafikimit me qenie njerëzore dhe migracionit iIlegal, Nestorovska thotë se një nga arsyet e shfaqjes së trafikimit me qenie njerëzore është kërkesa për shërbime të caktuara për plotësimin e nevojave të klientëve, ndaj të cilave grupet kriminale përgjigjen shpejt në varësi të llojit të kërkesës me një ofertë të përshtatshme joshëse për punën nga ku përmes shfrytëzimit arrijnë qëllimin e tyre – fitimin e lartë.

