Skandali me shkollën speciale të Vlorës, fëmijëve u falsifikohej shëndeti mendor

Shqipëria ka gjashtë shkolla speciale në total, një prej të cilave është në Vlorë. Në krye të këtij institucioni nga tetori i vitit 2022 u vendos Etleva Lulaj si drejtoreshë. Në momentin, që mori frenat e këtij institucioni, ajo u njoh menjëherë me problemet që ishin në këtë institucion.

Etleva denoncoi në ‘Piranjat’ të gjitha shkeljet ligjore që kishin ndodhur gjatë viteve në institucion. ‘Pashë që kishte dhunë ndërmjet kolegeve. Kjo transmetohej dhe te stafi.

‘Pjesa më problematike ishte se fëmijët kishin sjellje normale dhe nuk kishin diagnozë. Pas verifikime u konstatua se 16 fëmijë ishin pa diagnoze, kjo bëhej për të hapur klasat dhe mësueset të qëndronin në punë.

‘Unë lajmërova prindërit për dokumentacionin dhe ata e kuptuan se ishin mashtruar. Fëmijët e tyre i kishin nxjerrë me probleme mendore’, tha ajo ndër të tjera.

Diçka të tillë e vërteton dhe ky prind që pranon se është mashtruar nga ana e drejtuesve të Shkollës Speciale të Vlorës. ‘Unë e çova fëmijën aty, sepse më thane se është shkollë për fëmijë të varfër dhe kanë dhe transport.

‘Nuk e dija se ma kishin nxjerrë vajzën me probleme, ta dija ashtu, nuk do e lija në asnjë minutë. Nuk e kam çuar vajzën timen që të ketë program të cunguar’.

Vajza e kësaj zonje qëndron në krahun e saj. Ajo e pranon se nuk ka mësuar thuajse asgjë në atë shkollë. ‘Ne fëmijët e shëndoshë nuk donim që të ndiqnim këtë shkollë. Nuk kam mësuar thuajse asgjë’.

Zonja Lulaj vazhdon më tej me akuzat e saj, pasi tregon se ka patur dhe falsifikime regjistrash. ‘Bëra inventor dhe kuptova se mungonin 4 regjistra, pasi lidheshin me falsifikimet. Kishte fëmijë që ndiqnin një shkollë tjetër, apo ishin në Greqi dhe ishin të regjistruar në shkollën special të Vlorës.

‘Bëra kallëzim penal për të gjitha këto shkelje, ndërsa kolegët nisën me letra kundër meje në Ministrinë e Arsimit. Patëm takim në Ministrinë e Arsimit me zonjën Evis Kushi që ishte në atë periudhë në krye të këtij institucioni dhe ajo ngriti grupin e punës.