Situata e rënduar në disa akse rrugore për shkak të dëborës dhe shiut, reagon ministri Balla

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar në vend për shkak të motit të keq dhe reshjeve të dendura të dëborës dhe shiut.

Në një postim në Facebook, Balla shprehet se, ndërsa reshjet e dëborës dhe të shiut vijojnë, Policia e Shtetit, Autoriteti Rrugor dhe njësitë e qeverisjes vendore janë në krye të detyrës, nga Boga, Vermoshi, Qafë Murriza, në rrugën e Arbrit, deri në Qafë Muzinë në aksin rrugor Gjirokastër-Sarandë etj.

“Qarkulloni me kujdes dhe ulni shpejtësinë, jo vetëm në akset ku ka reshje dëbore por edhe në akset e tjera rrugore, pasi lagështira në rrugë  është burim për përfshirje në ngjarje rrugore”, shkruan Balla.

Ministri apelon që drejtuesit e mjeteve të ndjekin udhëzimet e Policisë dhe të autoriteteve të tjera.

“Për çdo nevojë, telefononi në numrin pa pagesë 112 dhe do të keni menjëherë ndihmën e shërbimeve të Policisë së Shtetit”, përfundon Balla.