Siguria në Kosovë, sulmet ndaj Policisë dhe shërbimi i detyrueshëm ushtarak – gjithçka nga intervista me kryetarin e Komisionit për siguri

Kryetari i Komisionit për Siguri, Bekë Berisha në emisionin “Përballje” në Telegrafi.com ka folur për situatën e sigurisë, sulmet ndaj Policisë dhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak.

Deputeti i AAK-së në intervistën me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu ka komentuar edhe takimin e fundit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Berlin, për të cilin ka thënë se është “mashtrim” i radhës.

Ky takim për deputetin opozitar ishte i pritshëm, pasi sipas tij, kryeministri Kurti ka shkelur rreth 100 premtime të dhëna në fushatë – madje edhe atë “jo negociata me Serbinë”.

Madje, Berisha ka thënë se në takimin e fundit në Berlin “mund të thuhet edhe që (Kurti e Vuçiq) kanë qenë me thikë duke e ndarë Kosovën”.

“Me thënë të drejtën, ky takim ishte i pritshëm për mua, por kjo bie në kundërshtim me krejt atë që kryeministri Kurti ka thënë për 20 vite se bisedimet nuk i ka prioritet. Tash po del që i ka prioritet dhe po del që bën me ngrënë drekë me Vuçiqin. Dita ditës për çdo premtim që e ka dhënë po vetë-demantohet sepse njerëzit e mbajnë mend çka ka thënë ai më parë. Po vetë-demantohet për diku 100 premtime që i ka dhënë. Mund të thuhet edhe që kanë qenë me thikë duke e ndarë Kosovën. Ndoshta ka pasur edhe hartë diku, por që e kanë fshehur kur është bërë fotoja”, ka deklaruar ai në emisionin “Përballje”.

Berisha ka theksuar se partitë opozitare duhet të angazhohen më shumë për ta shpëtuar vendin nga kjo situatë, të cilën ai e ka quajtur të vështirë.

“Tash po dihet që ky njeri ka mashtruar. S’ka nevojë me i thënë mashtrues (Kurtit), por vetëm e bën krahasim se çfarë ka thënë për një temë të caktuar dhe del krejt e kundërta. Por, tash duhet me ja fillu me bë opozitën për ta shpëtuar vendin sepse jemi në një pozitë shumë të keqe”, është shprehur Berisha.

“Në fillim kur Ramush Haradinaj kur i ka thënë mashtrues (Kurtit), ishte njëfarë ‘gjendje shoku’ për qytetarët. Por, ai është mashtrues, sepse ka arritur me mashtru krejt popullin, ua ka hapë një dritë në fund të tunelit dhe populli i besoi që ka me luftu korrupsionin dhe nepotizmin, që s’ka me shku në negociata me Serbinë, pra ka dhënë premtime të jashtëzakonshme. Por, tash po del që kjo qeveri nepotizmin e ka pikë numër një. Pastaj, korrupsioni është shumë më i theksuar se më herët. Pra, korrupsioni tash ka lulëzuar”.