Si duhet të veprojnë qytetarët pas rritjes së çmimeve? Deklarohen ekspertët

Në shumë vende të Bashkimit Evropian luftohet për ushqimet bazë. Mediat raportojnë se Evropa, dy vjet pas mungesës së shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, po e përjeton goditjen e radhës shkaku i panikut si pasojë nga lufta në Ukrainë. Lufta në Evropën Lindore ka rritur çmimet e ushqimeve në nivel global pasi Rusia dhe Ukraina prodhojnë një pjesë të madhe të stoqeve bujqësore në botë.

Shoqata Gjermane e Industrisë së Përpunimit të Farave të vajit, vlerëson se pothuajse 90 për qind e farave të lirit të përpunuara në BE importohen. Shoqata vlerëson se lufta në Ukrainë ka të ngjarë të shkaktojë mungesë të vajit të gatimit dhe ushqimit, gjë që do të jetë shumë e vështirë të zëvendësohet në një afat të shkurtër.

Situata në Maqedoni është specifike sepse ne varemi nga pjesa më e madhe e importeve, kështu që si shtet ekonomikisht nuk mund të ndryshojmë shumë, por deri më tani Qeveria e ka konfirmuar publikisht se kemi rezerva të mjaftueshme të grurit.

“Ajo që është e rëndësishme për ne sot është të tregohemi solidar, të mendojmë për bashkëqytetarët tanë, të mendojmë për konsumatorët, sepse të gjithë jemi në një krizë të rëndë me ushqimin dhe energjinë dhe duhet ta kapërcejmë së bashku, jo të bëhen stoqe të panevojshme të produkteve. Çka nëse i keni 20 kilogramë miell në shtëpi, çfarë do të bëni me atë miell dhe çfarë keni kursyer”, është deklaruar profesori universitar Vanço Uzunov.

Çfarë mund të bëjë Maqedonia si shtet?

“Nëse blejmë një sasi më të madhe mielli, çka do ta bëjmë me të, vetëm kosto joproduktive, dhe e njëjta vlen edhe për familjet, tani duhet të blejmë vetëm produktet e nevojshme, por të kursejmë para, sepse ende nuk dihet se do për cilat mallra do të kemi nevojë më shumë. Në kohë krize, vendet përdorin mekanizma të ndryshëm ekonomikë, por në parim është më mirë të lihen çmimet të lëvizin lirshëm dhe të ndihmohen kategoritë më të ndjeshme, ndërsa të tjerët të kursejnë. Çmimet e produkteve tona po rriten më së shumti sepse jemi të varur nga importi, kurse ato shtete nga ku importojmë nuk janë të interesuar për standardin tonë”, thotë Uzunov.

Në vend të stabilizimit erdhi një situatë edhe më e keqe. Dhe tani praktikisht situata është dyfish më e keqe. Ekonomia nuk është rikuperuar ende nga kriza me virusin dhe tash pasoi situata me Ukrainën.

“Është naive të mendosh se nëse nuk ke bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Ukrainën apo Rusinë, kriza nuk do të të prekë. Pavarësisht nëse keni bashkëpunim të drejtpërdrejtë apo jo, kjo situatë do të ndikojë tek ju. Është shumë e thjeshtë, sepse energjia prek të gjithë. Energjia nuk mund të mbetet në të njëjtin nivel si para krizës, dhe këtu e kam fjalën për çdo burim energjie – naftë, gaz, energji elektrike, gjithçka tjetër është faktor sekondar. Aktualisht, çmimi i këtyre tre burimeve të energjisë është në rritje. Në të vërtetë nuk duhet as të shpresojmë për një zgjidhje të shpejtë ushtarake të krizës. Edhe po të kryhej lufta, përsëri me muaj e ndoshta edhe më shumë se një vit do të ketë pasoja nga ai konflikt”, tha profesori universitar, Koço Angjushev.

Bujqit alarmojnë

Për shkak të mungesës së plehut, i cili aktualisht është i ndaluar për eksport nga Rusia, autoritetet duhet të gjejnë tregje alternative, sepse gruri që korret në vjeshtë mund të ketë rendiment të reduktuar prej 30 për qind.

“Çdo pëllëmbë tokë të jepet dhe e jo tenderët për dhënien e tokës bujqësore shtetërore të zgjasin shumë, por të zbatohen menjëherë dhe toka t’u dorëzohet fermerëve, që kjo tokë të përdoret këtë pranverë. Problemi me grurin mund të mos ndjehet tani, por nëse nuk hedhim sasi të mjaftueshme do të kemi problem gjatë korrjes. Kjo do të thotë se nëse vitin e kaluar kemi pasur 3.4 tonë për hektar, këtë vit nuk do ta kemi atë sasi, dhe posa të kemi rendiment më të ulët do të kemi cilësi më të ulët të grurit”, tha Petar Stojkoski, kryetar i Shoqatës së Bujqve.