Shqiptari i listës së Forbes, Dean Çelaj renditet mes 30 inovatorëve nën 30 vjeç

Për shumë nga ne duhet një jetë e tërë për të realizuar një ëndërr, por nuk është rasti për Dean Çelaj, inovatorin shqiptar, të përfshirë në listën e revistës amerikane “Forbes” të 30 njerëzve nën 30 vjeç, që janë kaq afër realizimit të ëndrrës, për të bërë ndryshime rrënjësore, jo vetëm në komunitetin dhe shtetin ku jetojnë, por më gjerë, në botën pa kufij.

Dean Celaj: Lajmin e mora përmes email-it. Ishte e papritur për mua. Në të thuhej: Urime, jeni pjesë e listës në kategorinë “Impakti Social”.

Akademi.al nisi si një dëshirë e imja për të kontribuar për vendin tim. E nisëm pak para pandemisë, por që rezultoi e suksesshme gjatë pandemisë. Kjo platform ka mbi 500 mijë përdorues, nxënës dhe mësues nga 1300 shkolla publike në Republikën e Shqipërisë. Sipas statistikave tona 91% e gjithë nxënësve në Shqipëri e kanë shkarkuar këtë platformë.

Për shkak të këtij projekti, unë dola në radarin e universitetit të Harvardit, kur ata më ofruan një bursë 100% për të studiuar në universitetin e tyre, dhe pastaj një gjë solli një tjetër. Pas disa bisedave me profesorë amerikanë, platforma ime u cilësua shumë e mirë edhe për tregun amerikan. Ne kemi fituar disa çmime ndërkombëtare dhe aty filluam të krijonim projekte të tjera për shkolla në Boston dhe tani po shohim Amerikën më gjerë. Këtë vit në listën e Forbes përfshihen Mbape, futbollisti i Paris Saint-Germain, Jack Harlow, ylli amerikan i Hip-Hopit, më parë kanë qenë Rihana, Kylie Jenner, Jeff Bezos, Mark Zuckenberg etj. Kjo përfshirje në listen e Forbes është një indikator për suksesin, që unë mund të kem në të ardhmen, nuk është koha për të ndaluar, por për të rendur përpara më shpejt se kurrë, me ide të reja dhe jo të kopjuara. Ky lajm më gëzon, por edhe më motivon. Nuk mund të them nëse jam milioner, por për momentin jam një njeri që kam shkaktuar një impakt social. Lajmin e mirë e ndava fillimisht me gjyshen time. Me atë isha kur lexova emailin.