Shqipëria përkujton Ditën e Dëshmorëve, Rama: Respekt për ata që e deshën atdheun me jetë

Shqipëria përkujton sot Ditën e Dëshmorëve të Kombit që kanë dhënë jetën e tyre për liri, gjatë Luftës Nacional Çlirimtare ndaj pushtuesve fashistë.

Në një postim në Facebook, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shpërndarë mesazhin e tij për këtë ditë të shënuar.

“Përulësisht me respekt për ata që e deshën atdheun me jetë. Të paharrueshmit, Dëshmorët tanë”, ka shkruar Rama.

Dita e Dëshmorëve e ka origjinën në 5 maj 1942, kur u vra Qemal Stafa, i cili me veprimtarinë e tij u kthye në simbol të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Në nderim të kujtimit të të rënëve për lirinë e vendit çdo vit në Varrezat e Dëshmorëve kryhen homazhe nga krerët më të lartë të shtetit shqiptar.