Shqipëria dënon lajmet e rreme nga Rusia që mohojnë bombardimin e konsullatës në Ukrainë
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka dënuar sot përdorimin e lajmeve të rreme nga Rusia për të mohuar bombardimin e Konsullatës së Nderit të Shqipërisë në Kharkiv të Ukrainës.
Në një njoftim më Twitter ku ka publikuar përsëri pamjet e konsullatës së bombarduar, ministria ka shtuar se pamjet e shkatërrimit të godinës flasin vetë.
“Ky shkatërrim i godinës si dhe i dokumenteve në arkiva është shkelje e hapur e nenit 61, kreu III i Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore”, ka thënë ministria.
Dezinformimi dhe lajmet e rreme mbi këtë sulm janë të papranueshme, ka theksuar ministria.
Konsullata e Nderit e Shqipërisë në Kharkiv është shkatërruar nga bombardimet ruse më 7 mars. Ky akt u dënua ashpër nga Tirana zyrtare e cila ka kërkuar që autorët të mbajnë përgjegjësi.

