Shpëtohen 123 minatorët që mbetën të ngujuar në Trepçë si pasojë e rrymës

123 minatorët që kishin mbetur të ngujuar në minierën e Trepçës si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike, tashmë kanë arritur të dalin nga miniera dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Kështu ka thënë për klankosova.tv, kreu i sindikatës së Trepçës, Gani Osmani, i cili ka shtuar se ata kanë arritur të dalin pasi që defekti në rrjetin elektrik është rregulluar.

“Defekti është rregulluar dhe minatorët kanë filluar të dalin. Pas orës 15:00 ata veç kanë filluar të dalin nga miniera. Besoj se për 10-15 minuta kanë arritur që të dalin të gjithë”.

Osmani ka treguar se të gjithë 123 minatorët janë në gjendje të mirë shëndetësore.

“Të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore. Mirëpo qëndrimi më i gjatë në rastet kur ndalet rryma paraqet rrezik sepse pastaj prishet edhe ajri si pasojë e mosfunksionimt të ventilatorëve që e pastrojnë ajrin”.