Shoqata e Prokurorëve forcon bashkëpunimin me autoritetet amerikane në fushën e drejtësisë

Tiranë, 3 prill – medial.mk/ – Kryetari i Shoqatës së Prokurorëve, Gezim Spahiu, këtë javë mori pjesë në një seri takimesh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u takuar me Kryetarin e Gjykatës Supreme të Karolinës së Veriut, gjyqtarin Paul Newby, dhe me Prokurorin e Përgjithshëm të këtij shteti, Robert Higdon Jr.

Në vijim, Kryetari i Shoqatës zhvilloi takime me Prokurorin Jordan Ford, Drejtues për Krimet Financiare pranë Konferencës së Prokurorëve të Karolinës së Veriut, si dhe me Prokurorin Federal Russ Ferguson dhe Drejtorin e Prokurorisë së Tulsas, Oklahoma, Steve Kunzweiler.

Takimet u realizuan në kuadër të programit IVLP të Departamentit të Shtetit, duke mundësuar shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në ndjekjen penale dhe administrimin e drejtësisë, si dhe prezantimin e Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë.

Gjatë bisedimeve u diskutua mbi rëndësinë e shkëmbimeve profesionale për forcimin e kapaciteteve institucionale, rritjen e efikasitetit të ndjekjes penale dhe mundësitë për bashkëpunime të ardhshme.

“Kjo vizitë synon konsolidimin e marrëdhënieve profesionale ndërkombëtare dhe përmirësimin e praktikave në sistemin e ndjekjes penale në Shqipëri”, u shpreh Spahiu.

Leave a Reply