Shënohet Dita ndërkombëtare e qasjes universale në informacione me karakter publik

Shkup, 28 shtator – Agjencia për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informacione me karakter publik me konferencën “Për gjendjet lidhur me zbatimin e Ligjit për qasje të lirë në informacione me karakter publik në Republikën e Maqedonisë së Veriut” sot ka shënuar Ditën ndërkombëtare të qasjes universale në informacione me karakter publik.

Drejtoresha e Agjencisë, Plamenka Bojçeva, tha se kjo është një ditë shumë domethënëse që kontribuon në zhvillimin e demokracisë dhe trendeve demokratike në shoqëri, drejt të cilave duhet të lëvizë edhe shoqëria jonë. Sipas saj, është një nga parimet e të gjitha demokracive moderne dhe standardeve evropiane për të cilat përpiqet vendi ynë.

Bojçeva informoi se nga aspekti i transparencës reaktive, gjegjësisht veprimit sipas kërkesave të pranuara për qasje të lirë në informata publike, në tri vitet e fundit që nga ekzistimi i Agjencisë dhe që nga miratimi dhe hyrja në fuqi e Ligjit për qasje të lirë në informacione me karakter publik, është vërejtur progres i dukshëm.

Sa i përket pyetjes nëse institucionet vendore apo shtetërore janë më transparente, ajo theksoi se me përzgjedhje të rastësishme i kanë monitoruar edhe njësitë e vetëqeverisjes lokale edhe 144 institucione shtetërore.

Zëvendësministri i Drejtësisë Agim Nuhiu, i cili mori pjesë në konferencë, tha se kishte ardhur për të shprehur mbështetjen.

Ne jemi këtu për të shprehur mbështetjen tonë, nëse ka nevojë për ndryshime të Ligjit për qasje në informacione publike, duhet ta bëjmë këtë. Ne jemi të interesuar që të kemi një kornizë ligjore dhe kornizë institucionale në të cilën do të zbatohen më shumë atributet e sundimit të ligjit, tha Nuhiu.

Dançe Danilovska-Bajdevska, autore e “Analizës së aplikimit të Ligjit për qasje të lirë në informacione me karakter publik me rekomandime për përmirësimin e sistemit për qasje të lirë në informacion”, theksoi se studimi është bërë me qëllim të dërgimit të mesazheve tek krijuesit e politikave publike si të avancohet e drejta për qasje të lirë në informacione.