Serbia fut në agjendën e dialogut zgjedhjet e prillit – Qeveria e Kosovës nuk ka përgjigje
Zyrtarët serbë paralajmërojnë se në takimin e 22 shkurtit me homologët kosovarë do të diskutojnë për organizimin e zgjedhjeve të Serbisë edhe në territorin e Kosovës.
Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë për këtë çështje.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha për transmetuesin publik serb, RTS, se në Bruksel do të bisedohet “për të pagjeturit, gjyqësorin, por edhe për zgjedhjet e 3 prillit, sepse ato duhet të mbahen në Kosovë”.
Petkoviq dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, do të takohen të martën në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Serbia mban zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ato presidenciale më 3 prill. Institucionet e Kosovës, ndryshe nga praktika e mëparshme, kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë organizimin e tyre në Kosovë.
Serbia kërkon që zgjedhjet e saj të mbahen edhe në Kosovë
Në janar, Kosova nuk e ka lejuar zhvillimin e një referendumi të Serbisë, për çështje të gjyqësorit, në territorin e saj, dhe zyrtarë të Qeverisë kanë thënë se ngjashëm do të veprohet edhe me zgjedhjet e prillit.
Në atë kohë, Qeveria e Kosovës ka thënë se hapja e vendvotimeve në Kosovë për zgjedhjet e Serbisë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, ndërsa si mundësi për serbët ka ofruar votimin me postë apo përmes Zyrës Ndërlidhëse me Serbinë.https://9022af780838c15a3ee4983275f9e19a.safeframe.googlesyndication.com/safeframe/1-0-38/html/container.html
Deri më tash, Qeveria nuk duket se ka lëshuar pe, me gjithë thirrjet e komunitetit ndërkombëtar.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, në fillim të këtij muaji, i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kanë bërë thirrje që të mundësohet ushtrimi i së drejtës së votës në Kosovë.
Lajçak ka thënë se ka standarde dhe praktika evropiane, që i lejojnë njerëzit të votojnë, kur jetojnë diku tjetër.
Në fund të javës së kaluar, edhe këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka thënë se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albun Kurti, për zgjedhjet e Serbisë.